Site icon Telegrafi

E kryer, Smalling braktis Romën dhe kalon në Arabi – klubi italian e gjen menjëherë zëvendësuesin e tij

Ish-reprezentuesi anglez dhe dikur lojtari i Manchester United, Chris Smalling, është në prag të kalimit në Arabinë Saudite tek Al-Fayha.

Smalling pritet që ta nis nga banka rezervë takimin që Roma do ta luajë mbrëmjen e sotme (e diel) ndaj Juventusit në Serie A.

Pas përfundimit të ndeshjes 34-vjeçari do të udhëtojë në Lindjen e Mesme atje ku do t’iu nënshtrohet testeve mjekësore dhe në rast se nuk ka ndonjë problem, ai do ta kompletojë transferimin të hënën.

Kjo do të thotë fundi i aventurës së tij me ‘Giallorossët’ pas pesë viteve të kaluara në kryeqytetin italian, aty ku u transferua fillimisht në huazim nga Unitedi në 2019.

Ai ka bërë më shumë se 150 paraqitje për klubin italian, por ka luajtur në vetëm 12 ndeshje sezonin e kaluar për shkak të lëndimit ndërsa nuk është paraqitur fare këtë edicion.

Smalling ishte pjesë e ekipit që fitoi Ligën e Konferencës në vitin 2022 duke mposhtur Feyenoordin, ndërsa ai luajti gjithashtu edhe në disfatën që pësuan nga Sevilla në finale të Ligës së Evropës sezonin vijues.

Roma nuk ka qëndruar duarkryq pas largimit të Smalling dhe kanë arritur marrëveshje me spanjollin Mario Hermoso i cili pritet t’iu bashkohet atyre si lojtarë i lirë./Telegrafi/

Exit mobile version