Leon Dajaku pritet të largohet nga Bayern Munichu gjatë këtij afati kalimtar të janarit.
Është skuadra elitare gjermane Union Berlin që ka fituar garën me ekipet tjera për shërbimet e Dajakut.
Ka qenë gazeta prestigjioze gjermane Kicker që ka raportuar se Union Berlin ka arritur më në fund marrëveshjen me Bayernin për huazimin e lojtarit për gjashtë muajt e ardhshëm.
19-vjeçari u kërkua edhe nga Koln, Nice e AC Milan, por Union ka qenë skuadra që i ka premtuar më shumë minuta.
Gjithsesi gazeta gjermane nuk ka dhënë detaje nëse klubi nga kryeqyteti gjerman do ta ketë të drejtën e blerjes.
Sulmuesi anësor ka luajtur kryesisht me ekipin e dytë të Bayernit në Bundesliga 3, ndërsa me ekipin e parë ka vetëm 29 minuta në Kupën e Gjermanisë.
Zyrtarizimi i këtij transferimi pritet të ndodhë brenda kësaj jave, me Dajakun që pritet të udhëtojë drejt kryeqytetit gjerman për t’i kryer vizitat mjekësore para se të zyrtarizohet si lojtar i ri i Unionit. /Telegrafi/