Aktorja e njohur shqiptare, njëherësh deputetja e Kuvendit të Kosovës, Adriana Matoshi, është mjaft aktive dhe e ndjekur në rrjetet sociale.
Jo pak herë ajo ka qenë cak i kritikave apo paragjykimeve të ndryshme që iu kanë adresuar nga ndjekësit, e që në raste të caktuara nuk ka hezituar që edhe të reagojë.
Një gjë të tillë e ka bërë edhe në fotografinë e fundit, të ndarë me ndjekësit e saj në rrjetin social Instagram.
Teksa shfaqej e freskët, duke pozuar me një bluzë të bardhë dhe xhinse të kaltra, Adriana Matoshi shkroi në mbishkrimin e fotografisë se i kishte rënë në sy një koment së fundmi, që e kritikonte atë për moshën.
“Në një foto disa më shkruajtën: Sa keq po plakesh, je e tmerrshme. Ajo që ndodhi më bëri të kuptoj se sa e vështirë duhet të jetë të jesh një grua e re, në kohën e mediave sociale. Unë jam 41, e di kush jam dhe e di se çfarë dua, por komente të tilla mund të të dëmtojnë vetëm shpirtin e juaj”, shkroi Matoshi në mbishkrimin e fotografisë.
Me të parë këtë, shumë prej ndjekësve të saj i shprehën mbështetje në hapësirën për komente, duke i sugjeruar që t’i lërë prapa komentet negative të këtij lloji.
Adriana përndryshe fitoi mandatin si deputete sivjet në legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës, duke garuar krah Lëvizjes Vetëvendosje. /Telegrafi/