Telegrafi

E krahasoi sëmundjen me një grip të zakonshëm, presidenti brazilian rezulton pozitiv me coronavirus

Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, ka rezultuar pozitiv me coronavirus, ndërsa lajmin e bëri të ditur vetë ai përmes një njoftimi të drejtpërdrejtë në medie.

“Testi doli pozitiv”, tha Bolsonaro.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Bolsonaro 65 vjeç, e ka nënvlerësuar që nga fillimi pandeminë, duke e krahasuar sëmundjen me një grip të zakonshëm, ndërsa në anën tjetër Brazili ka shënuar rritje rekorde të rasteve, duke u bërë vendi i dytë në botë, me më së shumti raste.

Diagnoza e tij vjen vetëm tri ditë, pasi i njëjti kishte drekuar në shtëpinë e ambasadorit amerikan në Brazil, Todd Chapman, në kryeqytetin, Brasilia.

Ndryshe, numri i përgjithshëm i rasteve nga coronavirusi në Brazil u rrit në 1.6 milion, ndërsa 65 mijë persona kanë ndërruar jetë. /Telegrafi/