Telegrafi

E konfirmuar: Samsung Galaxy S8 telefoni i parë me inteligjencën artificiale?

Telefoni i ardhshëm nga Samsung Electronics, Galaxy S8, do të jetë i pajisur me funksione të inteligjencës artificiale, duke shtruar kështu rrugën për një hap të ri në industri, ka deklaruar të premten kompania jugkoreane.

“S8 do të jetë telefoni ynë i parë me teknologjinë e inteligjencës artificiale,” ka thënë zëvendës presidenti i kompanisë në një konferencë mediale. “Ky do të jetë hapi i parë në arritjen e vizionit për ndërlidhjen e pajisjeve në mënyrë inteligjente”

Teknologjia e inteligjencës artificiale është një lloj aplikacioni softuerik që automatikisht kryen funksione të cilat janë të programuara manualisht nga përdoruesi.

Më herët gjatë këtij muaji, Samsung ka blerë Viv Labs, kompaninë amerikane të inteligjencës artificiale, duke shtuar kështu funksionet e kuptimit të gjuhës natyrale dhe teknologjinë e mësimit të makinerisë në spektrin e burimeve të Samsung.

Në konferencën mediale të së premtes, Samsung po ashtu ka bërë të ditur se qëllimi kryesor i tyre është të krijojë një platformë të inteligjencës artificiale ku pajisjet e ndryshme teknologjike mund të komunikojnë mes veti përmes kontrollimit të zërit.