Klubi nga Podujeva, Llapi ka konfirmuar zyrtarisht se ndeshje kthyese ndaj Shkupit në Ligën e Konferencës do të zhvillohet me praninë e tifozëve në stadium.
Llapi është mposhtur me rezultat 2-0 në ndeshjen e parë të zhvilluar në ‘Tose Preski’ në Maqedoninë e Veriut dhe synon ta rikthehet në ndeshjen kthyese në Prishtinë.
Ekipi i Tahir Batatinës kësaj radhe do t’i ketë përkrah vetit edhe tifozët, pasi një gjë e tillë tashmë është konfirmuar se do të lejohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Megjithatë, të pranishëm pritet të jenë vetëm 15 për qind e kapacitetit të stadiumit dhe të njëjtit duhet të kenë një test negativ PCR të Covid-19.
Postimi pa ndërhyrje i Llapit
KOMUNIKATË ZYRTARE
Ndeshja e dytë e raundit të parë kualifikues së Ligës së Konferencës, ndërmjet KF Llapi dhe FC Shkupi, e cila zhvillohet më 15 korrik 2021 (E enjte) në ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, do të zhvillohet me praninë e shikuesve.
Kryesia e klubit dhe trajneri Tahir Batatina pas shumë vështirësive kanë bërë të pamundurën për rikthimin e tifozëve në ndeshjen e dytë, ku mbështetja dhe prania e tifozëve është e domosdoshme për të kaluar në raundin tjetër kualifikues.
Biletat e ndeshjes do dalin në shitje nga dita e hënë. Përshkak të numrit të limituar të biletave, pasi kapaciteti momental i lejimit të tifozëve është 15%, biletat dhe procedura e shitjes do filloj në stadiumin ‘Zahir Pajaziti'(në postimin e radhës do njoftoheni për mënyrën e shitjes së biletave).
Poashtu bazuar në rregulloren e UEFA-s lidhur me organizimin e ndeshjeve me tifozë në kohë të pandemisë, biletat do të jenë vetanake pra me emër dhe mbiemër. Për t’u pajisur me biletë e domosdoshme është prania e një dokumenti identifikues.
Bazuar në manualin për pandeminë covid, tifozët e pranishëm kërkohet të kenë edhe testin PCR negativ për të hyrë në stadium.
Kryesia e klubit dhe kryetrajneri Tahir Batatina kërkojnë mbështetje nga të gjithë tifozët llapjanë, qytetarët e Podujevës, veçanërisht tifozeria “Legjendat” për t’i dhënë zemër skuadrës drejt kalimit tutje në garat e Ligës së Konferencave.
Kryesia e klubit kërkon nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Shëndetësisë dhe nga organi më i lartë i shtetit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që të mbledh kabinetin e tij qeveritar për lejimin e së paku 30% të kapacitet të tifozëve që edhe ne t’i kemi çmimet e biletave sa më solide për tifozët e klubit.
Zyra për informim dhe media e KF Llapi
/Telegrafi/