(E përditësuar) Autoritetet britanike thonë se shtatë vetë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pasi sulmuesit me një furgon kaluan në shtegun e këmbësorëve në Urën e Londrës (London Bridge), dhe pastaj i therën personat e pranishëm në një restorant.
Këtë sulm autoritetet e kanë trajtuar si terrorizëm.
Tre sulmues janë vrarë nga policia në vendin e afërt Borough Market, afro tetë minuta pas fillimit të incidentit të rëndë, mbrëmë në orën 23, kanë njoftuar autoritetet.
Shërbimi ambulantor i Londrës ka njoftuar sot se 48 persona të plagosur janë dërguar në spitalet në gjithë qytetin pas sulmit, derisa disa të tjerëve u është dhënë ndihmë mjekësore në vendin e sulmit për lëndime të vogla.
Kryetari i qytetit të Londrës, Sadiq Khan, tha se disa prej të plagosurve janë në gjendje “kritike” shëndetësore.
Mark Rowley, nga policia anti-terroriste e Londrës, më herët tha se besohet se ishin vetëm tre sulmues, por hetimet po vazhdojnë për këtë akt “terrorist”.
Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm terrorist, që është i treti prej 22 marsit, kur ndodhi një sulm i ngjashëm afër Parlamentit në Urën Westminster, dhe sulmit vetëvrasës me bombë në koncertin muzikor në Mançester më 22 maj.
Zoti Khan vlerësoi se sulmuesit ishin “qyqarë djallëzorë” dhe tha se Londra “kurrë nuk do të frikësohet”.
“Ne kurrë nuk do të lejojmë që ata të fitojnë”, tha Khan.
Ai paralajmëroi se në Londër do të shihet numër i shtuar i policisë dhe ka kërkuar nga banorët që të mbesin “të qetë dhe vigjilentë”.
Ndërkaq, kryeministrja britanike Theresa May, tha se “incidentet e tmerrshme” po trajtohen “si akte të mundshme terroriste”.
Britania e Madhe është në shkallë të lartë të alarmit pas incidenteve të fundit dhe në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 8 qershorit.
Vetëm pak ditë më parë, një sulmues vetëvrasës vrau 22 persona gjatë një koncerti të këngëtares amerikane Ariana Grande në Mançester.
http://www.dailymail.co.uk/news/article-4569638/Car-ploughs-20-people-London-Bridge.html#v-5302834848375655798