Arijanet Muric ka kompletuar kalimin në kampionatin holandez Eredivisie në ditën e fundit të afatit kalimtar.
Portieri i Përfaqësueses së Kosovës ishte i huazuar te Granada në Spanjë nga Manchester City, por që nuk kishte shumë hapësira.
Gjiganti anglez vendosi ta huazojë në Eredivisie te Willem II, skuadër që do t’i jap më shumë minuta portierit të Kosovës.
Se Aro do të jetë numri një në portën e Willem II e ka konfirmuar edhe trajneri malazez i kësaj skuadre Zeljko Petrovic.
“Është dashur të përshtatemi me situatën dhe për këtë arsyeje kemi huazuar Aro Muric për pjesën e mbetur të sezonit”, tha drejtori teknik i Willem II, Joris Mathijsen.
Portieri i pare i Willem II, Robin Ruiter është lënduar, ndërsa zëvendësuesi i tij Jorn Brondeel ka mbrojtur 11 takime, por trajneri malazez e ka njoftuar atë se Aro do të jetë numri një.
“Ne tanimë jemi pajtuar që Aro të jetë portieri ynë i parë. Për këtë gjë kam biseduar edhe me Jorn Brondeel dy herë. Është normale që ai është i dëshpëruar, por këtë e ka pranuar në mënyrë profesionale”, ka deklaruar Petrovic.
Testing our 𝙜𝙤𝙖𝙡𝙞𝙚𝙨 🧤
— Willem II (@WillemII) February 3, 2021
“Aro Muric është një portier fantastik dhe një talent i madh. Ai do të na ndihmojë shumë deri në fund të sezonit”, deklaroi trajneri malazez.
22-vjeçari Aro Muric ka mbrojtur vetëm në gjashtë ndeshje për Gironën, derisa tani te Willem II pritet ta rikthejë formën e tij më të mirë. /Telegrafi/