Telegrafi

E konfirmon Monchi: Diego Carlos nuk transferohet te Newcastle United

Diego Carlos do të vazhdojë të mbetet pjesë e Sevillës, së paku deri në verën e këtij viti.

Mbrojtësi brazilian ishte pajtuar me kushtet personale që të transferohet në Newcastle United, por dy klubet nuk kanë arritur marrëveshje mes vete.

Ka qenë drejtori sportiv i Sevillës, Monchi që ka konfirmuar se transferimi i brazilianit në Ligën Premier nuk do të ndodhë.

Sipas të parit për transferime te Sevilla, klubi anglez ka bërë një ofertë të mirë dhe të respektueshme, por që nuk ishte e mjaftueshme për ta lënë të lirë brazilianin.

“Negociatat kanë përfunduar për Diego Carlos. Ai qëndron te Sevilla. Oferta e Newcastle ishte një ofertë e mirë, e respektueshme, por nuk do të ndodh transferimi”, tha Monchi.

“Oferta nuk ishte e mjaftueshme. Ndoshta nuk ishte koha e duhur për transferimin. Diego qëndron këtu dhe është i lumtur”, ka thënë Monchi.

Newcastle kishte ofruar 40 milionë euro për brazilianin, por kjo ofertë nuk i ka pëlqyer Sevillës. /Telegrafi/