Jose Mourinho ka zbuluar pse ai e kishte refuzuar më parë mundësinë për t’u bërë përzgjedhës i kombëtares së Anglisë.
“The Special One” momentalisht është pa klub pasi u shkarkua nga Roma muajin e kaluar.
Kohën e tij të lirë së fundmi, tekniku portugez e ka kaluar me ish-legjendën e Anglisë, Rio Ferdinand, duke diskutuar rreth karrierës së tij legjendare dhe atë se çfarë premton e ardhmja për të.
Në një pjesë të intervistës, Mourinho flet për bisedimet që ka pasur me Federatën Angleze të Futbollit dhe arsyen pse i refuzoi ata.
“Unë kam refuzuar disa mundësi të mëdha. E para ka qenë mjaft e vështirë që ta refuzoja sepse ishte Portugalia, unë mund të isha trajneri i tyre i kombëtares”, ka thënë Mourinho fillimisht.
“Dhe gjithashtu i yti”, ka shtuar Mourinho, duke bërë me shenjë në drejtim të Ferdinand i cili më pas u shokua nga fjalët e Mourinhos dhe kapi kokën me dy duart duke thënë: Nuk ka mundësi.
“Po, e kisha kontratën aty, në tavolinë”, u përgjigj Mourinho.
“E kam refuzuar sepse unë gjithmonë e kam llogaritur punën me kombëtare si diçka që nuk do ta shijoja. Ishte në sezonin 2007/2008 dhe më pas Fabio Capello e mori atë pozitë”, është shprehur 61-vjeçari.
Capello nuk ia doli që të merrte maksimumin nga gjenerata e artë e Anglisë, duke u eliminuar nga Kupa e Botës 2010 që u mbajt në Gjermani në fazën e 1/16-ave./Telegrafi/