Site icon Telegrafi

E humbur prej dekadash, letra e shekullit të XV-të e Christopher Columbus i kthehet pronarëve në Itali

Shtetet e Bashkuara i kanë kthyer Italisë një letër të vjedhur të shekullit të XV-të të Christopher Columbus, njoftoi të mërkurën Zyra amerikane e Emigracionit dhe Doganave (ICE).

I shkruar në latinisht, ai është një nga rreth 30 botimet e para të mbijetuara të letrave të eksploruesit ku përshkruante zbulimet në kontinentin amerikan dhe i dërgonte te mbreti i Spanjës, Ferdinand dhe mbretëresha, Isabella në vitin 1493. Monarkët financuan udhëtimin e Columbus në “Botën e Re”.

Artikulli besohet të jetë një version i vjedhur nga Biblioteca Nazionale Marciana në Venecia, Itali, në vitet 1980. Ajo u gjet tek një koleksionist privat në SHBA, raporton cnn.

Duke njoftuar zbulimin në vitin 2020, ICE dhe Zyra e Prokurorit të SHBA-së në Delaware thanë se koleksionisti e kishte blerë nga një tregtar librash në vitin 2003. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje se si letra ishte vjedhur ose se si arriti tek tregtari.

Kujtojmë se kopjet e letrës janë jashtëzakonisht të rralla dhe shumë të vlerësuara nga koleksionistët dhe historianët.

Versioni i kthyer në Itali njihet si një botim Plannck I. Është emëruar sipas Stephan Plannck, botues i shquar që botoi dy letra para 500 vjetëve.

Kur dokumenti u gjet për herë të parë në vitin 2020, ai u vlerësua në më shumë se 1.3 milion dollarë.

Kthimi i letrës në Itali është pjesë e përpjekjeve më të gjera të Shteteve të Bashkuara për riatdhesimin e objekteve të vjedhura.

ICE thotë se ka kthyer më shumë se 20 mijë objekte në më shumë se 40 vende dhe institucione që nga viti 2007. Ato përfshijnë artin e grabitur nga nazistët, sarkofagët egjiptianë, pikturat franceze, skulpturat italiane, fosilet e dinosaurëve mongolë dhe kinezë, madje edhe mbetje njerëzore. /Telegrafi/

Exit mobile version