Telegrafi

A e hapi Llapi luftën për titull? Renditja dhe rezultatet e plota pas javës së 20-të në Superligën e Kosovës

Java e 20-të e Superligës së Kosovës ka sjell ndeshje të forta dhe rezultate befasuese, duke e ndezur luftën për titull dhe mbijetesë.

Gabimi i Ballkanit në shtëpi ndaj Feronikelit 74, duke barazuar 2-2, bëri që Llapi të futej për fitore të domosdoshme ndaj Dukagjinit, ku në fund triumfoi me rezultat 2-1.

Në anën tjetër Drita që gaboi një javë më herët në shtëpi ndaj Llapit, ka marr fitore të rëndësishme ndaj Lirisë me rezultat 1-0.

Malisheva është kthyer te fitoret, duke triumfuar bindshëm ndaj Fushë Kosovës me rezultat 4-1. Gjilani dhe Prishtina u desh të ndahen të kënaqur me nga një pikë pas barazimit 1-1.

Ballkani është lider me 44 pikë, tani katër më shumë se Llapi që është i dyti, duke rihapu fuqishëm garën për titull, kur dihet se do të jenë dy ndeshje mes ekipeve dhe edhe 16 ndeshje të tjera deri në fund.

Drita me 37 pikë është e treta, ndërsa Malisheva tani ka 32 pikë, dy më shumë se sa Prishtina që është e pesta.

Pjesën e poshtme e nis Dukagjini me 27 pikë, ndërsa Feronikeli ka 22 pikë si i shtati.

Gjilani është në pozitën e barazhit me 20 pikë, ndërsa Fushë Kosova me 11 pikë dhe Liria me 9 pikë mbyllin renditjen.

Javën e ardhshme, gara mund të hapet edhe më fuqishëm pasi që Ballkani viziton Dritën, ndërsa Llapi është mysafir i Fushë Kosovës. /Telegrafi/