Drejtori i Policisë për rajonin e Prizrenit, Faton Alija, dhe komandanti i Policisë së Prizrenit, Nexhdet Mrasori, kanë zhvilluar një vizitë në Këshillin e Bashkësisë Islame (KBI) të Prizrenit.
Ata u pritën nga kryetari i KBI-Prizren, Valon ef. Ibrahimi, së bashku me kryeimamin Orhan ef. Bislimaj dhe sekretarin Faruk ef. Ukallo.
Vizita u zhvillua në kuadër të fillimit të Muajit të Ramazanit, me ç’rast drejtori Alija e uroi kryetarin Ibrahimi dhe të gjithë besimtarët myslimanë, duke u dëshiruar agjërim të lehtë.
Gjatë takimit u diskutua edhe rasti i fundit në Prizren, ku një person u filmua duke dëmtuar Kur’anin Fisnik në rrugën e Saraçëve.
Drejtori Alija shprehu keqardhje për këtë akt dhe konfirmoi se autori është identifikuar dhe tashmë është arrestuar.
Kryetari i KBI-Prizren, Valon ef. Ibrahimi, falënderoi Policinë e Kosovës për veprimin e shpejtë dhe efikasitetin në trajtimin e rastit.
Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit dënoi ashpër aktin e dëmtimit të librit të shenjtë dhe kërkoi nga institucionet përgjegjëse që raste të tilla, të cilat cenojnë harmoninë fetare dhe shoqërore, të trajtohen me prioritet./Telegrafi/