Telegrafi

E goditi ish bashkëshorten me një tavolinë druri, një muaj paraburgim për gjakovarin

Foto: Arkiv

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit Sh. P., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë të ngelur në tentativë.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se i pandehuri Sh.P kishte sulmuar ish bashkëshorten e tij, duke e goditur me një tavolinë druri.

“Me datën 19 dhjetor 2021, në Komunën e Gjakovës, pikërisht në banesën e ish bashkëshortes së tij, të dëmtuarës A.A., ku fillimisht janë fjalosur, e më pas i pandehuri Sh. P., me një tavolinë druri
e kishte goditur të dëmtuarën disa herë në kokë, fytyrë e pjesë të ndryshme të trupit, derisa e njëjta ka mbetur e shtrirë në dysheme pa ndjenja”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Tutje, në njoftim thuhet se me këto veprime i pandehurit Sh. P., dyshohet të ketë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” në tentativë, vepër kjo e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Gjykata, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative
do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/