Federata e Futbollit të Kosovës ka lëshuar një komunikatë ku tregon për pezullimin që i kanë bërë gjyqtarit Qëndrim Vata.
Gjyqtari i futbollit mbrëmë kishte shkruar një status në rrjetet sociale ku e kishte fyer kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurtin.
Komisioni i Gjyqtarëve ka vendosur që ta pezullojë nga detyra e tij gjyqtarin Vata dhe e ka dërguar lëndën e tij tek Komisioni Disiplinor i FFK-së.
“Komisioni i Gjyqtarëve në bazë të kodeksit të mirësjelljes për të gjithë anëtarët e FFK-së, e ku janë të përfshirë edhe gjyqtarët, ka vendosur masën e pezullimit për gjyqtarin Qendrim Vata, për shkak të deklaratës së tij në rrjetet sociale, me ç’rast ka bërë ofendim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Njëherësh Komisioni i Gjyqtarëve lëndën e këtij rasti e delegon tek Komisioni Disiplinor i FFK-së, ku do të kërkohet edhe deklaratat e të lartpërmendurit”.
Tutje Komisioni i Gjyqtarëve u ka bërë thirrje të gjithë gjyqtarëve nën ombrellën e FFK-së që të mos shprehin qëndrim politike.
“Komisioni i Gjyqtarëve u bën thirrje të gjithë gjyqtarëve që të mos shprehin qëndrime politike, e aq më pak të shprehën në forma të tilla ofenduese për cilindo politikan apo institucion. Sporti është vetëm sport”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Përparim Hasani, kryetar i Komisionit të Gjyqtarëve. /Telegrafi/