E fejuara e Julian Assange, Stella Moris, tha se ekipi i tyre ligjor do të apelojë “në momentin më të hershëm të mundshëm” një vendim gjykate për të lejuar SHBA-në të ekstradojë atje themeluesin e WikiLeaks.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, SHBA-ja fitoi një apel të premten në Gjykatën e Lartë të Londrës për të ekstraduar Assange për t’u përballur me akuza penale, duke përfshirë shkeljen e ligjit për spiunazhin dhe komplotin për të hakuar kompjuterët e qeverisë.
“Ne do ta apelojmë këtë vendim në momentin më të hershëm të mundshëm”, tha ajo në një deklaratë.
SHBA kishte apeluar kundër një vendimi të janarit të gjykatës në Mbretërinë e Bashkuar që themeluesi i Wikileaks nuk mund të ekstradohej për shkak të shqetësimeve për shëndetin e tij mendor.
Por gjykatësit u siguruan nga premtimet e SHBA-së për të reduktuar rrezikun e vetëvrasjes.
Ai kërkohet në SHBA për publikimin e mijëra dokumenteve të klasifikuara në vitin 2010 dhe 2011. /Telegrafi/