Telegrafi

E duan vendin e punës dhe pagat për pesë vite

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE) Besim Beçaj tha se privatizimi i Postë Telekomit të Kosovës është në të mirën e të gjithë qytetarëve të vendit.

Përfaqësuesit e Sindikatës Povesionale të Punëtorëve të PTK-së kanë paraqitur një varg kërkesash që kanë të bëjnë me mbrojtjen e punëtorëve. Kërkesat kryesore ishin, sigurimi i vendit të punës dhe i pagës aktuale për pesë vite të ardhshme. Ministri Besim Beçaj duke theksuar se do t’i procedojë këto kërkesa në Komitetin për privatizim, potencoi edhe angazhimet e vet kryeministri Thaçi në këtë drejtim.

“Ju e dini që kryeministri ka premtuar se nuk do të lëshojë pe në asnjë moment që të bëhen kontrata më të shkurta se katër vite” , tha Beçaj. Sipas tij, efektet pozitive janë se me një pjesë të mjeteve nga privatizimi do të bëhen investime tjera kapitale të cilat do t’i mundësojnë qytetarëve të vendit shërbime më të mira.

Sindikata kërkoi edhe respektimin e ligjit të punës, me të cilin u pajtua edhe vet ministri. Anëtari i kryesisë së Sindikatës Profesionale të PTK-së Seremb Gjergji kërkoi edhe garantim të investimeve qindra milionëshe nga blerësi i ardhshëm.

“Ne kërkojmë po ashtu që nëse ndodhë shitja të ketë një investim prej minimumi 200 milionë euro për tri vitet e ardhshme. Kjo nënkupton që do të hapen edhe 500 vende të reja të punës në PTK dhe nuk do të ketë kurrfarë krize”, tha Gjergji. /Telegrafi/