Site icon Telegrafi

E drejta kushtetuese për referendum

Ndonëse në literaturën juridike referendumi njihet si forma më e vjetër dhe më e njohur e vendosjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve për një çështje të caktuar, në rastin e Kosovës nuk kemi pasur referendum tash sa kohë edhe pse gjatë dekadës së fundit kanë ndodhur gjëra për të cilat referendumi ka qenë më se i nevojshëm. Në të gjitha shtetet ku demokracia ka avancuar në shkallë të lartë, referendumi si shprehje e lirë e vullnetit të shumicës së qytetarëve paraqet një ndër atributet themelore, pa të cilën demokracia si formë e qeverisjes është mangët. Mohimi i së drejtës së qytetarëve për tu deklaruar për çështje madhore, por edhe për ato minore që kanë të bëjnë me vendin nuk duhet të ndodh në një shtet i cili mëton të jetë sadopak demokratik.

Kjo nuk është për tu habitur shumë pasi që Kosova si shtet i sapokrijuar, këtë dekadën e fundit ka qenë objekt i eksperimenteve nga më të ndryshme të bashkësisë ndërkombëtare. Edhe këta zotërinj ndërkombëtarë, të ardhur nga vende të ndryshme me misione të ndryshme e dinë fare mirë se referendumi, nuk është gjë tjetër veç pjesë e pandashme e demokracisë, term ky që mund ta gjesh në gojën e secilit politikanë në Kosovë. E drejta për referendum është e drejtë e cila në një vend normal garantohet me kushtetutë.

Shqiptarët e Kosovës, përveç Referendumit për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur i vitit 1991, që ia kishte garantuar kushtetua e asaj kohe, nuk kanë mundur të organizojnë referendum për ndonjë çështje tjetër madhore që ka ngjarë këto vite në vend. Është absurde të qeveriset shumica e një vendi derisa nuk merret parasysh vullneti i saj. Mohimi i së drejtës për referendum është e natyrshme të ndodh në ndonjë vend totalitar, që nuk ka të bëjë fare me demokracinë, por është krejtësisht jo normale në një vend i cili pretendon të jetë demokratik, të mohohet një e drejtë e tillë. Demokracia dhe referendumi janë të lidhura ngushtë mes veti dhe si të tilla nuk mund të ekzistojë njëra, e të mos ekzistojë tjetra.

Mos përfshirja e asnjë lloji të referendumit në Kushtetutën e Kosovës është bërë nga droja që një gjë e tillë do të ia mundësonte Kosovës bashkimin me Shqipërinë. Tek e fundit vullnetin e një populli shumicë nuk mund ta ndalosh duke ia mohuar këtij të fundit të drejtën për referendum, kjo më së miri u pa në këto dy dekada të fundit në vendin tonë, e po shihet edhe aktualisht në shtetet totalitare në botë. Nëse aq shumë ia janë frikësuar referendumit me karakter imperativ që nuk e kanë paraparë në kushtetutë, kanë mundur së paku të parashohin referendumi konsultativ me qëllim që të dihet saktë vullneti i shumicës së popullit për çështje të caktuara.

Kushtetuta e Kosovës ndonëse e cilësuar nga hartuesit e saj si kushtetuta më moderne dhe më e mirë në rajon, në praktikë nuk doli të jetë ashtu. Ky fakt po shihet dita ditës kur po paraqiten probleme të ndryshme të cilat kushtetuta e “mirë” nuk i kishte parashikuar. E gjithë kjo ka ndodhë për faktin se gjatë hartimit të Kushtetutës si dhe shumë ligjeve tjera, disa nga të ashtuquajturit “ekspertë juridik” me ndikim, nuk i kanë dhënë shumë rëndësi aplikimit të ligjit në vend, formatit të qeverisjes në vend, standardit jetësor etj, por më shumë kanë shkuar nga parimi “copy paste” të neneve të kushtetutave si dhe ligjeve tjera nga vendet e ndryshme rajonale e botërore, ku format e qeverisjes dhe standardi jetësor është shumë më ndryshe se në Kosovë. Është dashur ta kenë për bazë thënien e njohur se “Nuk është e vështirë të hartosh një kushtetutë ideale, por është e vështirë të shkruash një kushtetutë funksionale, e cila u përgjigjet dëshirave të popullit”.

Kushtetuta e Kosovës mund të jetë një kushtetutë ideale, por jo edhe funksionale. Modifikimi i Kushtetutës së Kosovës duhet të fillojë sa më parë dhe atë duke modifikuar nenet të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me interesin e qytetarit, pasi që gjatë hartimit të saj fare pak është konsultuar ky i fundit. Vetëm një kushtetutë funksionale mund të ishte kontratë e lidhur mes qytetarit dhe shtetit për udhëhequr punët publike dhe për mbrojtjen e interesave të përgjithshme.

(Autori është jurist i diplomuar)

Exit mobile version