Site icon Telegrafi

E drejta e mohuar

Shkelja e të drejtave elementare të njeriut në Kosovë tashmë është bërë rutinë. Kjo tingëllon edhe me dhimbshëm kur këto të drejta shkelen nga institucionet publike. E keqja madje vazhdon edhe më tej se nuk ke ku të ankohesh, pasi që vazhdimisht faji hidhet nga njëri institucion në tjetrin, derisa asnjëri nuk shpreh gatishmërinë për marrjen e përgjegjësisë që realisht i takon.

Të studiosh juridikun në një nga të ashtuquajtura “kolegje private“, për Odën e Avokatëve të Kosovës, Ministrinë e Drejtësisë dhe Universitetin e Prishtinës, nuk do të thotë “pothuajse asgjë”. Për dikë kjo mund të jetë shumë e çuditshme, por fatkeqësisht ky është një realitet i hidhur, për të cilin çuditërisht nuk reagon askush.

Kur kishte filluar procesi i akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë privat atë kohë ish ministri i arsimit Enver Hoxhaj pati deklaruar se studenti që studion në institucionet private të arsimit të lartë dhe ai që studion në institucione publike do të jenë të barabartë, por kjo në praktikë nuk ndodhi, e as sot nuk vazhdon të ndodh. Edhe pse diplomat të cilat i lëshojnë këto kolegje private prapa kanë vulën e MASHT-it si dhe vulën e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, juristët që dalin nga këto kolegje nuk kanë të drejtë të ushtrojnë praktikën pranë Odës së Avokatëve të Kosovës, si dhe u mohohet e drejta që t’i nënshtrohen provimit të jurisprudencës të cilin e organizon Ministria e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, e as t’i vazhdojnë studimet master në UP.

Në rregulloren për angazhimin e praktikantëve në OAK, si kusht i domosdoshëm është të jesh jurist i diplomuar, pra aty nuk ceket nëse je i diplomuar në kolegj privat apo publik. Në këtë rast OAK-u bie ndesh me vetë vetën gjegjësisht me Rregulloren të cilën vetë e kanë miratuar. Kjo është vetëm një ndër diskriminimet e shumta që iu bëhen studentëve që kanë studiuar juridikun në këto kolegje private.

Po ashtu, Ligji për provimin e jurisprudencës si kusht të domosdoshëm për nënshtrimin e këtij provimi parasheh që studenti të jetë jurist i diplomuar në sistemin 4 vjeçar apo që i njëjti ti ketë studimet master të përfunduara. Në këtë rast Ministria e Drejtësisë bënë shkeljen e këtij ligji saktësisht neni 2 të këtij Ligji, kur juristëve që dalin nga kolegjet private, ua mohon të drejtën për të iu nënshtruar provimit të jurisprudencës edhe pasi që ata të punojnë një vit në punë juridike në Gjykata apo dy vite në punë profesionale në ente e organizata tjera që kanë të bëjnë me zbatimin ligjeve, kushte këto shtesë të parapara me këtë ligj. Ky është dhe një diskriminim tjetër që u bëhet këtyre studentëve.

Mohimi i së drejtës për arsim për këta studentë kësaj radhe vjen nga Universiteti Publik i Prishtinës, me që rast studentët që kanë studiuar juridikun apo cilindo drejtim tjetër në kolegjet private iu është mohuar e drejta për të vazhduar studimet master në UP dhe e gjithë kjo falë dëshirave, inateve apo edhe interesave materiale individuale të disa personave brenda UP-ës. Si është e mundur që një student me një diplomë të lëshuar nga një kolegj privat në Kosovë të mund t’i vazhdoj studimet master në Gjermani, Francë apo Angli, në universitete me renome ndërkombëtare, ndërsa po i njëjti të mos mund t’i vazhdoj studimet master në UP, kjo vërtet është absurde. Kjo madje paraqet edhe shkelje kushtetuese, pasi që po shkelet e drejta për arsim.

Në gjithë këtë situatë janë studentët që kanë studiuar apo vazhdojnë të studiojnë në kolegje private, ata të cilët pësojnë më së shumti, derisa faji për këtë vazhdon të mbetet jetim. Kolegjet private vazhdojnë të prodhojnë juristë të cilët në të ardhmen do mund të punojnë çfarëdo pune tjetër, përveç asaj që ka të bëjë me drejtësi, me drejtimin për të cilin edhe kanë studiuar, kanë paguar dhe kanë shpenzuar kohën e tyre.

Mbesim me shpresë se Ministri i Drejtësisë dhe ai i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, të sapoemëruar, do e trajtojnë më me seriozitet këtë çështje, për faktin se po të njëjtit kanë qenë dhe mësimdhënës në këto kolegje private dhe janë në dijeni të plotë për këtë problem si dhe për gjendjen në të cilën gjendet arsimi i lartë në përgjithësi, dhe ai privat në veçanti.

Exit mobile version