Site icon Telegrafi

E djathta ekstreme në Austri merr mandatin për të formuar qeverinë për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore

Presidenti austriak Alexander Van der Bellen i dha dritën e gjelbër liderit të Partisë së Lirisë (FPÖ) të ekstremit të djathtë, Herbert Kickl, që të formojë koalicionin e ri qeverisës pasi të dy u takuan në Vjenë të hënën.

“Kikkl ka besimin për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme brenda kuadrit të negociatave të qeverisë dhe ai dëshiron të përmbushë këtë përgjegjësi”, tha Van der Bellen.

Nëse do të ketë sukses, do të shënonte qeverinë e parë të Austrisë, e udhëhequr nga ekstremi i djathtë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Bëhet e ditur se partia e Kickl siguroi fitoren në zgjedhjet parlamentare të Austrisë në shtator, duke mbledhur 28.8% të votave dhe duke kaluar Partinë Konservatore Popullore Austriake të kancelarit në largim Karl Nehammer, e cila doli e dyta.

Fillimisht, Van der Bellen e ngarkoi Nehammerin të formonte një qeveri në tetor, transmeton Telegrafi.

Megjithatë, partia e Nehammer refuzoi të hynte në një koalicion me FPÖ nën Kickl, dhe partitë e tjera refuzuan gjithashtu të punonin me të djathtën ekstreme.

Këto përpjekje për të krijuar një aleancë qeverisëse pa FPÖ dështuan në fillim të janarit, duke bërë që Nehammer të njoftojë dorëheqjen e tij të shtunën.

Pas largimit të Nehammerit, Partia Popullore Austriake tregoi një hapje të mundshme për të bashkëpunuar nën udhëheqjen e Kickl.

Ndërsa bisedimet midis dy partive nuk janë të garantuara se do të kenë sukses, nuk ka alternativa të mundshme të koalicionit në parlamentin aktual.

Për më tepër, sondazhet sugjerojnë se një zgjedhje e re mund të forcojë më tej pozicionin e FPÖ.

Ndryshe, Austria ka parë koalicione të ekstremit të djathtë dhe konservator në të kaluarën, megjithëse FPÖ ka shërbyer historikisht si një partner i vogël.

Nga viti 2017 deri në vitin 2019, të dy partitë qeverisën së bashku në një koalicion që përfundoi në skandal nën udhëheqësin e atëhershëm të FPÖ.

Gjatë asaj kohe, Kickl, i njohur për retorikën e tij provokuese, shërbeu si ministër i Brendshëm. /Telegrafi/

Exit mobile version