Site icon Telegrafi

E djathta ekstreme e Portugalisë i bashkohet aleancës ‘Patriotët për Evropën’ të Viktor Orbanit

Chega, partia e ekstremit të djathtë portugez, i është bashkuar “Patriotëve për Evropën”, aleancën e re nacionaliste të nisur nga kryeministri hungarez Viktor Orbán.

“Presidenti i Chega-s njoftoi qëllimin e tyre për të qenë pjesë e këtij koalicioni sovran”, ka thënë zëdhënësi i Orban të hënën, duke njoftuar lajmin, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Përpara konfirmimit, André Ventura i Chega-s e kishte përshkruar themelimin e lëvizjes si një “mundësi historike” për të ndërtuar një “alternativë” politike dhe për të bashkuar të djathtën.

“Ky grup është qartë kundër Ursula von der Leyen dhe António Costa”, tha Ventura, duke iu referuar votës kundër të Orbanit gjatë marrëveshjes së javës së kaluar për postet kryesore të BE-së.

Pas ditësh spekulimesh, formimi i “Patriotëve për Evropën” u njoftua të dielën nga lideri hungarez, i rrethuar nga Andrej Babiš, ish-kryeministri i Çekisë dhe Herbert Kickl, lideri i Partisë së Lirisë (FPÖ) të ekstremit të djathtë të Austrisë.

“Ajo që evropianët duan janë tri gjëra: paqja, rendi dhe zhvillimi”, tha Orbán në prezantimin në Vjenë. “Dhe ajo që ata po marrim nga elita në Bruksel sot është lufta, migrimi dhe stagnimi”.

Siç vënë në pah mediat, aleanca synon të maksimizojë ndikimin e saj duke ngritur një grup të ri në Parlamentin Evropian.

Por kjo kërkon një minimum prej 23 eurodeputetësh nga të paktën shtatë shtete anëtare.

Dhe shtimi i Chega-s, me dy ligjvënës, e sjell aleancën një hap më pranë përmbushjes së kërkesës së shtatë vendeve.

Së bashku, të katërt përfshijnë 26 eurodeputetë. /Telegrafi/

Exit mobile version