Për të qenë sa më i sigurt dhe për të shmangur skenarin më të keq, Presidenti amerikan do të ketë sigurinë maksimale, jo vetëm në Shtëpinë e Bardhë dhe ajër, por edhe në tokë.
E ashtuquajtura “The Beast”, makina me të cilën lëvizin presidentët është ndërtuar nga “Cadillac” në bazë të kërkesave të bëra nga shërbimet inteligjente amerikane.
Risitë janë përforcimi i xhamave dhe pjesëve të tjera, që në modelin e ri janë në gjendje të përballojnë goditje më të fuqishme, si minat apo predha të ndryshme kundërtank apo kundërajrore.
Në brendësi do të jetë një minispital, ku nuk do të mungojë asgjë, përfshirë edhe një qese gjaku në rast nevoje për presidentin.
Do të ketë sisteme të përditësuara komunikimi dhe sistem mbrojtës kundër sulmeve me armë kimike apo biologjike.
E gjithë kjo siguri do të shërbejë vetëm për 30 minuta udhëtim, kjo pasi në protokollet e sigurisë, Presidenti nuk mund të udhëtojë me këtë makinë në destinacione më të largëta se kaq.
Për udhëtime mbi 30 minuta shfrytëzohen helikopterët “Marine One”. /tch/