Në një intervistë për mediumin spanjoll El Pais, sulmuesi i Barcelonës, Raphinha shprehu nervozizmin e tij me mënyrën se si ish-trajneri Xavi kishte menaxhuar zëvendësimet gjatë kohës së tij në klub.
Raphinha po shkëlqen këtë sezon nën urdhrat e Hansi Flick pasi më herët ishte lidhur me një largim të mundshëm nga klubi.
Teksa ai dha kontributin e tij edhe në dy sezonet e para po ashtu, reprezentuesi brazilian nuk pati vazhdimësi gjë e cila bëri që të marrë kritika të shumta.
Gjërat nuk shkuan gjithmonë ashtu siç duhet mes Raphinhas dhe Xavit, me brazilianin që tashmë ka shprehur nervozizmin e tij me mënyrën se si legjenda spanjolle e kishte larguar atë nga loja në disa raste.
Ish-lojtari i Leeds United tha se ai e dinte gjithmonë se do të zëvendësohej nga loja në minutën e 60-të pavarësisht se çfarë bënte në fushë.
“Është më e komplikuar këtu. Unë qesh, sepse kjo më ka ndodhur mua shumë herë. Nuk është një kritikë për Xavin”.
“Në mënyrë të pandërgjegjshme, unë gjithmonë e dija se do të zëvendësohesha. U mundova të bëja gjithçka për 60 minuta dhe asgjë nuk ndodhte”.
“Dhe në një ditë tjetër, nëse gjërat shkonin ashtu siç doja unë, përsëri do të zëvendësohesha gjatë asaj kohe”, ka thënë Raphinha./Telegrafi/