Telegrafi

E dhunuara ofron dëshmi trishtuese në gjykatë

Në aktakuzën e ngritur nga prokurori Agron Uka, të përfshirë në këtë rast janë Xhavit Hasimi, Eridon Ajvazi, Fitim Ajvazi, Ilir Ajvazi dhe Nazif Isufi, që të gjithë për veprën penale të dhunimit. Ata në mënyrë sistematike e kanë detyruar të dëmtuarën B. I., nga Prizreni, për të kryer akt seksual pa pëlqimin e saj, duke e rrahur e maltretuar vazhdimisht.

Në aktakuzë thuhet se të dyshuarit e kanë rrahur të dëmtuarën, kurse dhunimi është përcjellë me lëndime trupore. Ata kanë tentuar ta shfrytëzojnë viktimën edhe për prostitucion, shkruan “koha.net”.

Që të gjithë pandehurit e kanë mohuar veprën, duke thënë se gjithçka është bërë me dëshirë dhe jo me dhunë. Por, ndryshe ka dëshmuar e dëmtuara B. I. Ajo në dëshminë e saj trishtuese ka folur për të gjitha detajet. Sipas saj të pandehurit Xhavit dhe Nazif e kanë sjellë nga Prishtina në Gjilan, duke e futur në një pyll.

“Aty më kanë thënë se nëse dëshiron të fitosh bukën e gojës atëherë duhet të bësh marrëdhënie seksuale, duke e shitur trupin dhe njëkohësisht më kanë detyruar të këndoj në veturë edhe këngë serbe. Shpesh të akuzuarit më kanë thirrur me emrin Daniella e Dragana, për të fshehur para të tjerëve identitetin tim, kurse me të akuzuarit kam pasur marrëdhënie seksuale kundër vullnetit tim, duke e përdorur forcën dhe kanosjen”.

Me vendim të prokurorit të rastit, të gjithë të pandehurit ndodhen në burg nga 30 qershori i këtij viti, derisa zyrtarë të Gjykatës së Qarkut kanë bërë të ditur se ky rast është mbajtur në fshehtësi për shkak të hetimeve që janë kryer, duke mos e bërë të njohur as identitetin e së dëmtuarës. /Telegrafi/