Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.K., për shkak të veprës penale “Dhunimi”.
Sipas njoftimit nga ana e Prokurorisë thuhet se më 23 shtator 2021, i pandehuri sipas marrëveshjes paraprake me të miturën, me veturën e tij e ka pritur të njëjtën në dalje të fshatit Janosh, Komuna e Gjakovës, ku së bashku kishin shkuar në shtëpinë e të pandehurit, në fshatin Vitomericë, Komuna e Pejës.
“Nga data 23 shtator 2021 e deri më 29 shtator 2021, për të iu shmangur familjarëve e policisë, kanë lëvizur në lokacione të ndryshme, ku gjatë gjithë kësaj kohe i pandehuri e ka detyruar të miturën, të kryej marrëdhënie seksuale në vazhdimësi. Pas disa veprimeve operative nga ana e zyrtarëve policorë, është arritur të lokalizohet vendi dhe të arrestohet i pandehuri”, thuhet në njoftim.
Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës kompetente, që i pandehuri E.K., të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë. /Telegrafi/