Site icon Telegrafi

E dërguan në Kushtetuese, Murati: PDK dhe LDK nuk e kuptojnë rëndësinë e Fondit Sovran

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka drejtuar kritika ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), lidhur me Ligjin për Themelimin e Fondit Sovran.

Dërgimin në Kushtetuese të këtij ligji nga PDK e LDK, Murati e ka cilësuar si një pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai ka theksuar se ky ligj, i miratuar nga Qeveria e Kosovës, do të ishte një katalizator i rëndësishëm për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Murati ka ngritur një paralele duke thënë se derisa ky ligj ndodhet në Kushtetuese, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka miratuar një vendim të ngjashëm për themelimin e një Fondi Sovran për SHBA-të.

“Në anën tjetër, Ligjin për Themelimin e Fondit Sovran që e kemi miratu e që do të ishte katalizator i zhvillimit ekonomik, LDK-ja e PDK-ja e kanë çu në Gjykatë Kushtetuese.
Kurse dje, Presidenti Trump e miratoi vendimin për themelim të Fondit Sovran të SHBA-ve”, ka shkruar Murati.

Ai shtoi se disa ekonomistë të këtyre partive nuk i kuptojnë plotësisht konceptet ekonomike dhe se vetëm pas disa vitesh ata mund ta kuptojnë rëndësinë e një mekanizmi të tillë financiar.

“Kanihere kam përshtypjen që këta ekonomistët e LDK-së dhe PDK-së, jo që nuk duan, por nuk i kuptojnë disa koncepte ekonomike. Tek pas disa vjete po i marrin vesh, kur po ndodhin edhe në shtete tjera”, ka shkruar Murati. /Telegrafi/

Exit mobile version