Site icon Telegrafi

E dërgoi përfaqësuesen në Evropian, trajneri jep dorëheqje të befasishme

Përfaqësuesja e Republikës Çeke ka siguruar një biletë në Kampionatin Evropian ‘Euro 2024’ pas fitores në ndeshjen e fundit ndaj Moldavisë.

Çekët triumfuan me rezultat të thellë 3-0, derisa së bashku me Shqipërinë nga Grupi E si të dytët siguruan një biletë për evropianin e vitit të ardhshëm.

Megjithatë çudia më e madhe erdhi në përfundim të kësaj ndeshje, kur trajneri i Përfaqësueses çeke, Jaroslav Silhavy ka dhënë dorëheqje nga pozita e trajnerit.

62-vjeçari ka thënë se kishin marrë vendim për dorëheqje para ndeshjes me Moldavinë për arsyeje të presionit të madh që ishte.

“Unë me kolegët e mi vendosa që ta ndërpresim këtu bashkëpunimin para ndeshjes me Moldavinë, se nuk do të vazhdonim më. Presioni ishte i madh, ndonjëherë edhe nuk e kuptoja fare”, deklaroi trajneri çek.

Ai ka qenë trajner i Çekisë që nga shtatori i vitit 2018, derisa ka udhëhequr përfaqësuesen çeke në 56 ndeshje brenda pesë viteve.

Lajmi për dorëheqjen e Silhavyt ka bërë bujë të madhe, pasi një gjë e tillë rrallë ndodh që një trajner pasi të siguron objektivin të jap dorëheqje.

Në 56 ndeshje sa ka drejtuar përfaqësuesen çeke, Silhavy ka marrë 26 fitore, 10 barazime dhe 20 disfata me një golaverazh 81:68. /Telegrafi/

Exit mobile version