Telegrafi

E çuditshme në SHBA: Shtëpia funerale u dha familjeve të të vdekurve hirin e rremë, duke fshehur 190 trupa të dekompozuar

Kompania amerikane e funeralit “Return to Nature”, ku disa muaj më parë u gjetën 190 trupa në dekompozim, duhet të paguajë dëmshpërblim në vlerën 950 milionë dollarë për familjet e të ndjerëve.

Përkatësisht, kompania e lartpërmendur funerale në qytetin Penrose, në shtetin amerikan të Colorados, u dha familjarëve të të ndjerit hi të rremë në vend të mbetjeve të vërteta.

Gjykata kërkoi dëmshpërblimin përmes një padie civile, por, siç raporton BBC, nuk ka gjasa që dëmshpërblimi të paguhet sepse pronarët e shtëpisë funerale, burri e gruaja John dhe Carrie Hallford, kishin në probleme të rënda financiare.

Asnjëri prej tyre nuk mori pjesë në seancat dëgjimore. John është ende në paraburgim ndërsa gruaja e tij është liruar me kusht.

Familja Hallford po përballet me qindra akuza në lidhje me trajtimin e pahijshëm të mbetjeve, vjedhjet, pastrimin e parave dhe falsifikimin.

Prokurorët u ofruan atyre një marrëveshje për pranimin e fajësisë për 190 akuza për trajtimin e pahijshëm të eshtrave. Nuk dihet nëse oferta e prokurorisë është ende e vlefshme.

Hetimi ka nisur pas raportimit për një erë të pakëndshme që vinte nga prona. Pas këtij raporti, në fillim të muajit tetor të vitit të kaluar, në pronë u gjetën 115 trupa. Drejtorët e funeralit në Colorado nuk kanë nevojë për një licencë apo edhe një diplomë të shkollës së mesme. /Telegrafi/