Site icon Telegrafi

E braktisën futbollin, sepse nuk ofronte më kënaqësi

Njëri nga ata që ka premtuar shumë gjithsesi ishte Virtyt Hashani, i cili ende pa i mbushur të 27-at, në kohën kur pritej shkëlqimi i tij, befas u nda nga loja aktive. Sot, pas katër vjetëve i kujtohet ajo ditë dhe e pranon sesa e ka pasur të vështirë ta marrë një vendim të tillë. “Pas 6 muajve të kaluar në Vëllaznim, kalova te Flamurtari, por nuk luajta më shumë se dy xhiro. E pashë se asgjë nuk po ndryshon për të mirë në futbollin tonë, kurse në anën tjetër duhej përqendrim më i madh në familje. Lodhja, monotonia dhe pritja e kotë për ditë më të mira e kishin bërë të veten dhe unë pa dëshirën time, por nga zori e mora vendimin që t’i them lamtumirë lojës aktive në futboll. Duhet ta pranoj se ky ishte vendimi më i vështirë në karrierën time”, theksoi Hashani, i cili as tash nuk mundet pa këtë lojë.

“Po, unë luaj futboll të vogël, por më ka mbetur merak edhe loja aktive. Të dielave nuk i përcjell fare emisionet sportive, pasi më kaplon nostalgjia dhe më vjen të kthehem në lojën aktive”, shprehet Hashani, i cili shpreson se një ditë megjithatë do të kthehet, por në rolin e trajnerit, pasi siç thotë ”futbolli është pjesë e pandashme dhe nuk mundem pa të. Ndoshta një ditë do të kthehem si trajner”.

Një tjetër talent, Valon Bajrami, i cili ka mbrojtur me sukses ngjyrat e disa skuadrave kosovare, në momentin kur priste një skuadër dhe kontratë e re, papritmas braktisi futbollin. “T’u them të drejtën sikur u ftoha nga futbolli kosovar dhe më dukej se nuk ia vlen të merrem më me të. Nuk shihja ndonjë perspektivë pasi kushtet ishin vërtet të vështira”, thotë Valoni, duke bërë me dije se nuk ka gabuar dhe se po të përsëritej rasti përsëri do ta merrte një vendim të tillë, ndonëse futbolli ende mbetet pjesë e pandashme e jetës së tij.

“Jo, nuk jam penduar fare, jam duke punuar në një kompani të sigurimeve dhe po ndihem mirë. Edhe pas punësimit kam pasur oferta nga skuadrat e ndryshme, por nuk i kam pranuar. Megjithatë, nga loja e futbollit nuk mund të ndahem, pasi pothuajse rregullisht luaj futboll të vogël me shokë dhe kjo ma plotëson hapësirën e krijua nga ndarja prej lojës aktive”, shprehet Bajrami. Madje në një të ardhme jo të largët ai mendon ta drejtojë edhe ndonjë skuadër. “Dua të bëhem trajner dhe ky është plani im për të ardhmen. Kjo dëshmon se unë e dua futbollin dhe nuk është lehtë të ndahesh pavarësisht se je futbollist apo trajner”, thotë ish-futbollisti i disa skuadrave kosovare, Valon Bajrami. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version