Telegrafi

E bija e Azem Hajdarit: Çfarë realizoi ai për 7 vjet, të tjerët nuk do të mund t’i realizonin edhe po të kishin shtatë jetë

Partia Demokratike (PD), po zhvillon homazhet e 20 vjetorit të vrasjes së Azem Hajdari, ish-liderit të Lëvizjes së Dhjetorit, që përmbysi diktaturën komuniste.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë përfaqësuesit e lartë të Partisë Demokratike, si kryetari Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, deputetët dhe ish-deputetë të selisë blu.

Vajza e Azem Hajdarit, Rudina Hajdari në fjalën e saj në këtë ceremoni përkujtimore u shpreh se i ati i saj e nisi rrugëtimin e tij politik kur ishte fare i ri.

Sipas deputetes së PD-së, ato që realizoi Azem Hajdari në 7 vjet, njerëz të tjerë nuk mund ti realizojnë dot as në 7 jetë.

“Azem Hajdari ishte fare i ri kur nisi rrugëtimin e tij politik për të mposhtur komunizmit. Ai në 7 vjet realizoi ato që njerëzit e tjerë nuk do të mund ti realizonin në shtatë jetë. Arsyeja pse Azem Hajdari e mposhti komunizmin, ishte se komunizmi nuk kishte as respekt Atdheun dhe as për familjen”, u shpreh Rudina Hajdari. /Telegrafi/