Telegrafi

E auditojnë auditorin

Kuvendi nëpërmjet një tenderi në vlerë prej 2900 euro ka përzgjedhur kompaninë “BDO Kosova”, e cila nuk ka shumë kohë që është themeluar në Kosovë. Aipas Agjencisë Kosovare për Regjistrim të Bizneseve, kjo kompani është regjistruar si biznes në gusht 2010, aksionar i së cilës është “BDO Kroacia”.

Sami Tahiraga, person i autorizuar në “BDO Kosova”, thotë se kjo kompani ka kapacitete profesionale që ta auditojë Zyrën e Auditorit Gjeneral, ndonëse kjo e fundit deri më tani ka përgatitur me dhjetëra raporte të auditimit për agjencitë buxhetore të vendit. “Një ekip profesional prej 5-6 vetave do të angazhohet në auditimin e pasqyrave financiare të auditorit gjeneral. Ne jemi pjesë e një kompanie të njohur ndërkombëtare, e cila operon në 120 vende të botës”, thotë ai.

Tahiraga thotë se ditë më parë janë shpallur fitues të tenderit për auditimin e pasqyrave financiare të auditorit dhe pas nënshkrimit të kontratës me Kuvendin e Kosovës do të nisin punën.

Edhe anëtarja e Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Myzejene Selmani, thotë se çdo institucion, i cili shfrytëzon para publike, duhet të auditohet, në mënyrë që të sigurohet se ekziston transparenca në shpenzimin e mjeteve buxhetore. “Të gjitha institucionet që shfrytëzojnë para publike duhet të auditohen, duke përfshirë këtu edhe auditorin e përgjithshëm”, shprehet Selmani.

Përndryshe, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës (ZAP) është insitucioni më i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar në Kosovë.

Ilire Daija-Buza, zëdhënëse e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm(ZAP), ka thënë për “Zërin” se kompania “Grant Thornton” i ka audituar pasqyrat financiare të ZAP për vitet 2008-2009.

Sipas “Grant Thornton”, pasqyrat financiare të ZAP për vitin 2009 pasqyrat financiare i prezentojnë drejt, në të gjitha aspektet materiale dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik. I njëjti vlerësim nga “Grant Thorton” është dhënë edhe për pasqyrat financiare të Auditorit për vitin 2008. /Telegrafi/