Nga: Moikom Zeqo
A – Diskutimi mbi krizën botërore është i pafund, çdo gjë mund të shihet edhe nën optikën juridike.
B – Globalizmi është bota juridike, triumf i pozitivizmit juridik.
A – Nuk është kaq e thjeshtë.
B – Nuk thashë se është e thjeshtë.
A – Sipas pozitivizmit juridik, ligjet e mira bëjnë një njerëzim të mirë. Mendoj se është e kundërta: Njerëzimi i mirë bën ligje të mira.
B – Dua të shtoj: Jo ndërlikueshmëria e pafund e ligjeve, por simplifikimi i tyre.
A – Domethënë raporti i etikës me juridiken është në favor të etikës. Jo thjesht si koncept teorik. Si humanitet i botëkuptimit, i marrëdhënieve njerëzore. Kështu përcaktojmë dhe institucionin e letërsisë.
Buron nga etika dhe e ushqen atë, një veprimtari dëlirësuese, shndrit sipër ligjeve, sepse është shumë më tepër se sa ligjet.
B – Parashikimi i së ardhmes është atribut substancial i letërsisë. Përgjithësisht letërsia botërore artikulon skenare apokaliptikë. Shqetësimi për të ardhmen është apokaliptik. Shkrimtari është i të njëjtës racë me profetët biblikë, të cilët janë talente letrare të padiskutueshme.
Libri i Jobit në Bibël është shekspirian. Profeti Isaia është një poet më i madh se Dantja.
Vizionet e Gjonit në ishullin Patmos janë më të fuqishme se ato të Suiftit, apo të Hygo-it.
Shumë shkrimtarë e mitizojnë këtë atribut. Gjithsesi të nervozuar, të dëshpëruar mendojnë për Fundin e Botës. Është një parashikim i skajshëm dhe i mjerueshëm, emocional dhe jo shpesh racional. Tek çdo njeri është edhe Fundi i Botës por edhe Rilindja e Botës.
Sistemet politike janë samarë në kurrizin e njeriut ende kafshë, derisa të bëhet vetvetja, domethënë njeri. I mungon ende vetëdija njerëzore, ka ende një vetëdije kentauri i gjysmë kafshe e gjysmë njeri. Kështu që qeniet hibride nuk janë fantazi, përderisa vetë njeriu është hibridi më i madh i tërë gjallesave.
Historia kthehet kështu në një proces identifikimi drejt së ardhmes. Ne mund ta parandiejmë të ardhmen vetëm si një ndryshim progresiv, ose si një shndërrim në qenien autentike natyrore, që nuk ka kontradikta me qenien historike.
Shumë romane kanë lëvruar zhanrin e “utopive negative”. Romani i Oruellit 1984. Kjo, besoni a jo, është një lloj romani komik. Kur akrepat bien trembëdhjetë në fjalinë e parë, e dini se keni të bëni me humor fantastik.
Shteti ultra totalitar është i zënë duke shkatërruar gjuhën ashtu siç e njeh historia, mirëpo ka një himn kombëtar që fillon me “Oqeania, këndoj për ty”.
Shakaja e madhe e librit është premisa se profesorët thinjoshë të filozofisë kanë marrë në dorë qeverisjen e botës. Ata janë idealistë duke menduar se vetëm idetë ekzistojnë, se realiteti është diçka që përmbahet përbrenda kafkës kolektive të partisë sunduese.
Fakti se njeriu duhet të torturohet vetëm pse nuk mund të pranojë se 2 + 2 = 5 është së paku qesharake.
Nga ana tjetër, kjo ishte parulla e Bashkimit Sovjetik gjatë njërit prej shumë planeve pesëvjeçare, kur pandehte se puna e pesë vjetëve mund të bëhej për katër vjet, me një pushim të shkurtër në mes, gjendja e botës në vitin e imagjinuar 1984 nuk u shndërrua në realitet. Por ndodhi më 1990. Kemi gjëra të tjera për t’u preokupuar pos vëllait të madh, është punë e mirë të qeshemi me policinë e mendimit dhe me Lidhjen antiseksiste.
Libri Botë e re e Aldous Hakslit. Ajo u paraqit më 1932, 17 vjet para vizionit të zymtë komik të Oruellit.
Nëse Oruelli parasheh një epokë të pafund torture konformizmi dhe dashurie ndaj Partisë, Haksli ofron një botë në të cilën të gjithë janë të lumtur – me një a dy përjashtime të domosdoshme për vijën e tregimit.
Në vitin AF 632, perëndia ka vdekur, por fryma e Henri Fordit është e gjallë (AF do të thotë në anglisht after him: pas tij). “Fordi po lulëzon – çdo gjë është në rregull me botën”.
Fordi herë-herë, sipas kësaj të ardhme të largët, shqiptonte emrin e vet si Frojd. Qeniet njerëzore prodhohen në një sistem frojdian rripash transportues, para dhe pas fekondimit (“lindja” është fjalë e mënyrë si dhe fjala “nënë”), ata kushtëzohen kimikisht që të jenë të kënaqur me fatin e tyre në jetë. Alfat janë mendtarë, Betat jo aq të këqij, Gamat disi, kurse Deltat moronë. Kinematë shfaqin ndjenjësime dhe kundërmime si dhe filma që flasin (sikur të jeni në vitet e transformuara të 30), dhe nëse ndjehesh nën depresion të japin tableta soma (ishte dhe do të të bëjë të sëmurë. Marr një dramë dhe jam”). Je i ri dhe i bukur derisa të vdesësh, posi një qen pekinez. Ka qytetarë të kësaj utopie të cilëve nuk u pëlqen. Ata duan të mos jenë të përkryer, duan të jenë mëkatnorë, të sëmuren. Ata duan të vuajnë. Por, meqë distopia e Oruellit nuk është shkruar, ata do t’i dërgojnë në Arktikun e papopullarizuar.
Transformimi i Kingzli Eimisit mund të duket një zë i dridhur (jo gjithaq i dridhur kur të kesh rilexuar Plaku dhe deti), mirëpo, romanet – si këto dyja – që hapin imagjinatën ndaj pamundësive të njeriut duhet të kultivohen. Nëse Oruelli dhe Haksli prezentuan një të ardhme të pamundshme.
Eimisi paraqet një të tashme të pamundshme. Diçka ka ndodhur në të kaluarën që në të vërtet nuk ka ndodhur, ndonëse ka mundur të ndodhë. Më 1588, spanjollët pushtuan Anglinë protestante në emër të kishës katolike. Kjo e bën Anglinë protestante në vitin 1970, a më vonë, tjetër fare nga ç’është në të vërtetë. Ka një Papë të fortë që sundon botën e njohur, ka një inkuizicion brutal, nuk ka hulumtime të lira, prandaj as shkencë, dhe një teknologji shumë primitive. Islamizmi është në luftë me krishterizmin (mbase kjo është më profetike se çka menduar autori), por nuk ka komunizëm (Karl Marksi është një rabin kahmot i vdekur) dhe Rusia, duke mos pasur alternativë tjetër, mbetet Rusia e shenjtë. Një libër i këtillë mund të duket lojë e thjeshtë, mirëpo lozja është dhunti themelore e njeriut. Ne kemi nevojë që ta stimulojmë trurin duke lozur ndonjë lojë intelektuale. Akademia suedeze sikur nuk mendon kështu.
A – Përmende Hasklin dhe Oruellin.
Harrove rusin Eugjen Zamiatin. Gjenial, profetik, fatkeq, ai botoi më 1926 në Rusi romanin “Ne”, ku projektohet bota e matematizuar e së ardhmes. Tërë planeti është “Onestate”, në krye është qenia supreme e quajtur Benefektori.
Personazhet mbajnë numra, lëvizjet e tyre janë si në një planet pitagorik, emocionet njerëzore janë fashitur, s’ka më nevojë për to.
Zamiatini vdiq krejtësisht i harruar në Paris më 1936. Por një përkthim i keq në anglisht i romanit të tij më 1928 në Perëndim ra në sytë e dy shkrimtarëve dinakë, Hasklit dhe Oruellit.
Të dy e imituan në substancë, duke menduar se harrimi i Zamiatinit do të ishte përfundimtar. Bota Oruelliane ka në krye Big bradher-in (alias, Benefektor-in). Matematizimi i gjithçkaje te Haskli është ideja e Zamiatinit.
Mbas shumë vjetësh romani i Zamiatinit u ripërkthye mrekullisht. Bota e njohu prijetorin e madh dhe shumë më të talentuar të këtij zhanri hipotetik tronditës.
B – Zamiatini nën tokë s’di asgjë për këtë.
A – E ç’rëndësi ka kjo?
B – Krahas “utopive negative” ka edhe “utopi pozitive”.
A – Letërsia e fantashkencës?
B – Quaje si të duash.
“Historia e së ardhmes s’është shkruar asnjëherë, gjë që mendoj se zhduk çdo pretendim të historisë për të kaluar në shkencë” – ka shkruar F.W Taylor, në “Organizimi, Simbolizmi e Morali”, e përsëri “astronomët i vijnë rrotull problemit të ekuilibrit të tre trupave që vërehen në hapësirë. Në histori problemi është aktualisht i pesë miliard trupave”.
Megjithatë çështja duket paradoksale.
Le të provojmë të bëjmë një ballafaqim midis parashikimeve të së ardhmes realitetit: le të shohim që shpesh “objekti” i parashikimit, s’ka qenë asnjë herë i përcaktuar në mënyrë të hapur, e për të plotësuar në të kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme planetare kozmike, që askush s’kishte arritur t’i parashikonte.
Le të nisemi nga një prej parashikimeve të Zhyl Vernit (Jules Verne): Udhëtimi kozmik.
Arthur Clarke, studiues i materies, astronom, autori i skenarit të filmit “2001, Odiseja e hapësirës”, ndoqi nga afër punimet astronomike në veprim edhe ato relative të projektit Apollo.
E megjithatë në romanin e tij të 1951 “Prelud në hapësirë” kish shkruar për zbritjen e parë në Hënë në 1980, duke gabuar kështu llogaritë rreth 11 vjet (është akoma më e vërtetë, që në atë libër ai kishte parashikuar o sajuar në një saktësi të pabesueshme që, një anije kozmike që si Space Shuttle, të ishte e zonja të ngrihej e të ulej sërish në tokë, takimet në orbitë, satelitët për të komunikuar.
Gjithnjë në fillimet e viteve ’50, në romanin e tij të famshëm “Kronika Marsiane” Ray Bradbury, supozonte pushtimin dhe kolonizimin e Marsit në 1999, (një datë tjetër sërish e parealizuar).
-Dhe në “Projektin Jupiter –(1953)” Fredrie Brown, gjykonte të pranueshme, ekspeditat njerëzore drejt orbitave të Jupiterit në 1997.
Në vitet ’40 e ’50 , shkencëtari – shkrimtar Asimov (e krahas tij dhe mjaft të tjerë), mendonin se në 2000-shin, do të jepej mundësia e realizimit të “Njeriut sintetik” (Imitim i qenies njerëzore).
-Por asgjë s’është më e gabuar se kjo që thamë më lart: imazhi i robotit antropomorf, tashmë ka zënë vend në një cep dosjesh në sirtar.
Sot ekzistojnë makineri lëvizëse me inteligjencë të kufizuar, që përdoren në raste të veçanta, si (operacione kirurgjikale që kërkojnë precizion të lartë etj.).
Janë krijuar dhe kompjuterë shumë të fuqishëm, por ende s’kemi në duar teknologjinë që “i bën objektet të ecin”.
Inteligjenca po zhvillohet, e veçanërisht në raport me botën që po na rrethon megjithatë tani për tani thelbësore janë: shikimi, prekshmëria, përcaktimi fizik i vetë trupit në lidhje me ambientin, etj.
Në fund të viteve ’40 shkrimtari Murray Leinster, kishte parashikuar në mënyrë mjaft impresionante kompjuterin shtëpiak (i quajtur prej tij “logjik”). I ngjan pak televizorit të njëherë e një kohe, veçse në vend të butonave, ka një tastierë për të shkruar atë çka ju intereson, dhe që është e lidhur me “memorien”. Ju shtypni tastierën dhe ekrani ju përgjigjet në çast për gjithçka, madje ju ofron dhe këshilla për “zemrat e coptuara” edhe pse logjikët, nuk ndihmojnë shumë, sidomos kur janë në mes femrat. Ato funksionojnë mirë vetëm për gjërat e arsyeshme (“Nderoje logjikun tënd” në 1947).
Por e menduar mirë proza fantastiko-shkencore nuk ka aspak edhe pse mund të duket kontradiktore, qëllime të përcaktuara parashikimi. Ajo është thjeshtë një “imagjinatë e pranueshme” e njerëzve që dinë të ushtrojnë fantazinë dhe teknika tregimtare më mirë se të tjerët, dhe për këtë duhet të jemi të kënaqur: Mjafton të kujtosh shumë prej parashikimeve që s’janë realizuar ndonjëherë deri më sot.
Në romanin “Hapuni, hapuni” në 1966, Harry Harrison, përshkruante një New York, që në 2098, do të kishte, 35 milion banorë dhe pjesa tjetër e botës e ndarë proporcionalisht, e që do të ushqehej prej “soulentit jeshil” domethënë një pregatitje sojesh, thjerrëzash, etj.
A – Por mos t’i zmadhojmë gjërat. Dimensioni i letërsisë nuk është dimensioni kryesor i saj.
Homeri ribën të kaluarën, Servantesi të tashmen.
Shekspiri dhe të kaluarën dhe të tashmen. Shekspiri nuk shkroi futurologji, por i takon më shumë së ardhmes si simboli antropologjik më i madh i shkrimtarit në të gjitha kohërat.
Shekspirizimi janë lëngjet e fshehta që ushqejnë njerëzimin në tërësi. Një njeri i vetëm si Shekspiri është vetë njerëzimi.
Tek Shekspiri është sekreti i kuptimeve që nuk vdesin kurrë.
B – Mos e lodhëm njëri tjetrin me këto persiatje?
A – Ndoshta.
B – Nuk ka shumë të vërtetë, ka vetëm një të vërtetë, por që shfaqet me forma të ndryshme.
A – E vërteta e Njeriut!