Telegrafi

E ardhmja e Inzaghit në dyshim, dy trajnerë në listën e Interit për ta zëvendësuar italianin

Simone Inzaghi nuk e ka të sigurt të ardhmen e tij te Interi dhe mund të shkarkohet gjatë javëve të ardhshme nëse klubi nuk këndellet.

Tri humbje brenda dy jave janë shumë për një skuadër si Interi dhe Inzaghi është i vetëdijshëm për një gjë të tillë.

Neroazzurët që konsiderohen si favoriti kryesor për titullin e kampionit në Itali, u mposhtën nga Lazio dhe Milani në Serie A, derisa pësuan edhe në shtëpi nga Bayern Munich në Ligën e Kampionëve.

Mediat italiane kanë filluar të shkruajnë se Inzaghit është duke iu lëkundur karrika te Interi dhe ndeshjet e ardhshme janë vendimtare për të ardhmen e tij.

Në rast se nuk arrihen fitore në dy sfidat e ardhshme ndaj Torinos në kampionat dhe Viktoria Plzen në Ligën e Kampionëve, atëherë me shumë gjasa Inzaghi do të lirohet nga puna.

Tanimë në Itali kanë filluar të qarkullojnë edhe zërat se kush mund ta zëvendësojë italianin në krye të skuadrës.

I pari në listën e Neroazzurëve është trajneri italian Roberto De Zerbi, i cili më parë ka drejtuar Sassuolon dhe Shakhtar Donetsk.

De Zerbi është i lirë pas largimit nga Shakhtar Donetsk, derisa është i hapur për ta marrë drejtimin e Interit.

Një tjetër emër që ndodhet në listën e zikaltërve është ai i Marcelo Bielsas i cili ka një raport të shkëlqyer me Javier Zanettin.

Edhe Bielsa është i lirë pas largimit nga Leeds dhe do ta mirëpriste një punë të tillë për të punuar me skuadrën zikaltër. /Telegrafi/