Telegrafi

E akuzuan se është hajn dhe milioner, Jasharaj: Kam para sa për një varr

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se i pranon kritikat, por se u lëndua njëherë kur u akuzua se është hajn dhe milioner.

Ai tha se kjo nuk qëndron aspak dhe se në bankë ka para sa për ndërtimin e varrit.

“Ishte një akuzë shumë e randë: ai është hajn dhe milioner. Kjo ishte e papranueshme, sepse pejanët mua më njohin unë jetoj në një shtëpi modeste dhe jam komshiu i parë me kryetarin Gazmend Muhaxheri. Ai na njeh më së miri familjen tonë prej kur jemi kthyer prej Turqisë. Ishte goxha e vështirë, në bankë kam para sa për një varr, sepse fëmijët e mi pa punë. Njerëzit thonë hajt se këta kanë pare boll dhe më mbetet xhenazja mbi dhe, ato pare nuk guxojnë me i prek”, tha ai në emisionin “Oxygen” në Klan Kosova.

Jasharaj tha se shtëpinë e tij, me kuzhinë dhe një dhomë, ia ka ndërtuar një organizatë.

“Shtëpinë time të djegur ma kanë maru një organizatë, një kuzhinë poshtë dhe një dhomë nalt. Kemi jetuar 5 deri në 6 vjet në atë shtëpi të gjithë, kur e bëra pagën më të madhe e bëra shtëpinë me dy dhoma, kjo është pasuria ime”, tha ai

Ai tha se asnjëherë sa ka qenë kryetar, nuk ka bërë ndonjë kërkesë për përfitime personale.

” Kërkesat tona kanë qenë me i rritë rrogat dhe kurrë nuk kemi bërë kërkesa personale, çka kërkon anëtarësia e dërgojmë aty”, tha ai.