Site icon Telegrafi

E akuzojnë për homofe dhe kërkojnë shkarkimin e saj, Duda Balje: Presioni i askujt nuk do t’i ndryshojë qëndrimet e mia

Duda Balje (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Deputetja Duda Balje ka reaguar ndaj letrës së Nismës së Rinjve për të Drejta të Njeriut – Kosovë (YIHR KS) dhe katër organizatave të tjera jo qeveritare, dërguar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës, përmes së cilës kanë kërkuar shkarkimin e kryetares së Komisionit për të Drejtat të Njeriut, Duda Balje dhe anëtares së Komisionit, Labinotë Demi Murtezi në lidhje me siç thonë “deklaratat diskriminuese”.

Ata përmes letrës kanë bërë të ditur se gjatë takimit të këtij komisioni me shoqërinë civile të thirrur nga Duda Balje me temën “Gjendja aktuale në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë”, janë përballur me një tjetër demonstrim të homofobisë dhe diskriminimit ndaj komunitetit LGBTIQ+.

Pas kësaj ka reaguar deputetja Dude Balje, e cila ka mbrojtur qëndrimin e saj ndaj komunitetit LGBTIQ+.

“Ju keni të drejtë të kërkoni dorëheqjen time nga posti i kryetarit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, por unë kam të drejtë të mos mbështes kërkesat tuaja”, ka shkruar Balje në Facebook, transmeton Telegrafi.

Më tej deputetja Balje ka thënë se “asnjë pozitë, mendimi i askujt apo ndonjë presion nuk do të mund të ndryshojë vendimet dhe qëndrimet e mia”.

“E konsideroj detyrë time të luftoj për një familje dhe shoqëri të shëndetshme, normale, tradicionale, për dispozitat e besimit tim dhe vendimet e shumicës dërrmuese të njerëzve në vendin tonë”, ka shkruar Balje.

Lexo po ashtu "Homofobet s’kanë vend në Kuvend", YIHR-ja i dërgon letër Konjufcës - kërkojnë shkarkimin e Duda Baljes dhe Labinotë Demi Murtezit

Ndërsa, YIHR përmes  letrës kanë kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Duda Balje nga pozita e kryetares së Komisionit për të Drejta të Njeriut.

“Nuk mund të lejojmë që një person me qëndrime diskriminuese të drejtojë një institucion kaq të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut në Kosovë. Njëherit, kërkojmë edhe shkarkimin e Labinotë Demi Murtezi nga ky komision për gjuhën e saj shpifëse dhe të urrejtjes ndaj personave LGBTIQ+”.

“Ne kërkojmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës të reagojë menjëherë dhe të ndërmerr masa për të garantuar se pozitat publike janë të mbajtura nga persona që respektojnë dhe promovojnë të drejtat e njeriut pa dallim për të gjithë ashtu siç e përcakton Kushtetuta e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në letrën drejtuar kryetari të Kuvendit, Glauk Konjufcës.

Shkarkimin e Baljes e kërkuan pesë organizata joqeveritare Qendra per Barazi dhe Liri (Cel Kosovo),Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS), Csgd Kosovo, Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe CIVIL RIGHTS DEFENDERS.  /Telegrafi/

 

Exit mobile version