Një bombë e madhe e Luftës së Dytë Botërore ka shpërthyer nën ujë pasi zhytësit e marinës polake u përpoqën ta “bënin pajisjen të sigurt”.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pajisja shpërthyese – me nofkën “Tallboy” dhe e aftë të shkaktojë një tërmet të vogël – u zbulua në shtator të vitit të kaluar në fund të një kanali në Swinoujscie, në Baltik.
Një armë e Luftës së Dytë Botërore, bomba u hodh nga Forca Ajrore Mbretërore Britanike në një sulm ndaj një anije luftarake naziste në vitin 1945 dhe u gjet vetëm gjatë pastrimit të rrugës hyrëse në portin e Szczecin, në Poloninë veri-perëndimore.
Operacioni delikat për të shpërthyer bombën u përshkrua si “i pari në botë” nga Grzegorz Lewandowski, zëdhënësi i Flotës së 8-të Mbrojtëse të Bregdetit Polak.
“Askush nuk e ka neutralizuar kurrë një Tallboy kaq të ruajtur mirë, të shtrirë në fund të ujit”, ka thënë ai.
Rreth 750 banorë u evakuuan nga shtëpitë e tyre të hënën gjatë operacionit me rrezik të lartë.
Lewandowski siguroi se shpërthimi ishte “pa rrezik për ata të përfshirë drejtpërdrejt në operacion”, dhe bomba “mund të konsiderohet si e neutralizuar”.
Një zëdhënës i bashkisë së qytetit Świnoujście i tha AFP se nuk kishte “asnjë dëm” në shëndetin e njerëzve, ndërtesat ose infrastrukturën e qytetit.
Një zonë sigurie prej 2.5 kilometrash ishte vendosur dhe i gjithë trafiku në port është pezulluar gjatë operacionit, konfirmoi kryetari i bashkisë lokale në një deklaratë të hënën.
Por disa banorë i thanë AFP-së se ata kanë refuzuar të largohen, duke thënë se “rreziku kryesor” ishte rreziku i infektimit me COVID-19 në një sallë sporti ku banorëve u ofrohej strehim.
Bomba “Tallboy” ishte e gjatë 6 metra dhe përmbante 2.4 ton eksploziv – ekuivalent me rreth 3.6 ton TNT.
Swinoujscie konsiderohej si një nga bazat më të rëndësishme të flotës gjermane në Balltik gjatë të dy luftërave botërore. /Telegrafi/