Dyzet kompani janë detyruar të paguajnë doganën e janë gjobitur pas dy viteve që kur kanë importuar pajisjet e teknologjisë informative. Ato kanë importuar sasi të printerëve (ploter) dhe në kohën e importimit nuk kanë paguar fare doganën.
Kjo ishte bërë edhe me miratimin e Doganës, e cila ka lejuar një import të tillë. Por Dogana është kthyer në kohë përmes auditimit dhe ia ka ndryshuar kodin doganor printerëve të importuara nga më së 40 kompani të Kosovës, shkruan Koha Ditore.
Veronika Bajqinovci, nga kompania “In Design” ka thënë se Dogana i ka gjobitur dhe i ka detyruar të paguajnë doganën prej 10 për qind për dy pajisje të cilat i kanë blerë në vitin 2013.
“Për këto pajisje ne kemi paguar atë që është dashur të paguhet”, ka shkruar Bajqinovci në ankesën që e ka dorëzuar në Dogana. “Ne si subjekt juridik nuk iu kemi shmangur asnjëherë obligimeve ndaj Doganës, dhe mendojmë se këtu nuk është faji i kompanisë sonë, por i Doganës që ka pranuar mall me po të njëjtin kod për këto 4-5 vitet e fundit, apo edhe më shumë, dhe atë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Maqedonia dhe Serbia”. /Telegrafi/