Në dyvjetorin e vdekjes së ish drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla sot në qytetin e Pejës është kujtuar vepra dhe puna e tij.
Në nderim të veprës dhe punës së tij, Qendra Rinore në Pejë tash e tutje do të mbajë emrin e ish-artistit Gjikla.
Plaketa është vendosur sot në ora 11:00 në objektin e kësaj qendre, ku të pranishëm ishin familjarë, shokë, kolegë e pjesëmarrës tjerë.
Arlind Gjikolli, i njohur si Gjikla ishte drejtor Menaxhues i Telegrafit dhe humbi jetën më 5 dhjetor 2022 në moshën 41 vjeçare, pas betejës me një sëmundje të rëndë.
Gjikla, siç e quanin të gjithë të afërmit dhe miqtë, ishte themeluesi dhe shtylla krijuese e grupit WNC nga Peja, që zhanrin e muzikës rep në Kosovë e çoi në një stad më të zhvilluar, qoftë me tekste të angazhuara, me muzikë apo me interpretim. “Çka kom pasë”, “Qikat e mira”, “Për ty” … janë disa nga këngët e këtij grupi, që edhe sot dëgjohen dhe frymëzojnë gjeneratat e reja.
Pas grupit WNC, Gjikla ka vazhduar edhe solo-karrierën, me tekste që kundërshtonin anomalitë e shoqërisë së Kosovës.
Mjafton të përmendet këtu kënga “Juda”, që godet amoralitetin në politikë, tjetërsimin e individit dhe humbjen e perspektivës dhe të shpresës. Apo, opinionin kritik, ku ndër të tjera thotë: “Pikërisht pse ti populli jem i dashtun nuk angazhohesh për shumë, as nuk merr shumë … mbetesh me pak e kënaqesh me pak”.
I tillë ka qenë Gjikla, opozitë e përhershme e së keqes dhe injorancës dhe një humanist që donte të mirën e përgjithshme të shoqërisë.
Në dhjetë vjetët e fundit, Gjikla ishte COO (Drejtor Menaxhues) i Telegrafit. Si person që jetonte me kohën dhe që donte përparimin, ai dha kontribut të madh në zhvillimin dhe rritjen e këtij portali. Gjikla ka qenë një nga shtyllat e risive teknologjike që Telegrafi çdo vjet ka sjell për lexuesit shqiptarë. /Telegrafi/