Mos krijimi i Ushtrisë së Kosovës, mos liberalizimi i vizave, pensionet e veteranëve, Asociacioni e Demarkacioni janë vetëm disa nga çështjet të cilat i ka marrë nën zotim koalicioni qeverisës PDK-LDK, por që nuk i ka përfunduar.
Bajram Gecaj, Këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, thotë se puna e koalicionit qeverisës në këto dy vite është bllokuar vazhdimisht nga një opozitë kryeneçe, por që “megjithatë koalicioni ka gjëra për të cilat krenohet, siç është MSA, punësimet dhe ngritjet e pagave”.
Për mos liberalizimin e vizave ai e ka fajësuar opozitën, njëjtë si për Demarkacionin dhe Asociacionin, ndërkaq krijimi i Ushtrisë dhe çështja e veteranëve thotë se kanë ngecur në elemente të imta.
Ai ka shprehur bindjen se deri në fund të mandatit do të finalizohen çështjet për të cilat edhe është zotuar LDK-ja, ndërsa sipas tij është bërë mjaftueshëm edhe për këtë dyvjeçar. /Gazeta Tribuna/