Site icon Telegrafi

I dyshuari i prangosur thyen qafën, kur polici amerikan frenon me vrull furgonin me të cilin e transportonte – publikohen pamjet

Kamerat e sigurisë brenda një furgoni të policisë amerikane, kanë kapur momentin kur i dyshuari i prangosur paralizohet pasi përplas kokën në furgon, kur polici bën frenimin e vrullshëm të mjetit motorik në Connecticut.

Richard Cox, 36-vjeç, u arrestua më 19 qershor për posedim ilegal të armës së zjarrit, dhe po transportohej me furgon që nuk kishte rrip të sigurisë, dhe në një moment nga frenimi i vrullshëm ai përplas kokën në “murin” e furgonit dhe thyen qafën, transmeton Telegrafi.

Tani Cox po lufton për jetë në një spital, ku është shpallur i paralizuar nga poshtë belit dhe po përdor tuba për të marrë frymë.

Pamjet e publikuar më poshtë, shfaqin momentin kur ai qëndron i shtrirë në dysheme dhe kërkon ndihmë nga zyrtari policor që voziste mjetin. Polici Oscar Diaz më pas ndal mjetin për të kontrolluar Coxin.

“Çfarë ndodhi”, e pyet Diaz të dyshuarin i cili i thotë se nuk mund të lëvizë trupin.

Diaz menjëherë i telefonon ambulancës dhe vazhdon rrugëtimin drejt qendrës së paraburgimit.

Me të arritur atje, e asistojnë kolegët që tentuan ta nxjerrin nga furgoni Coxin që assesi nuk mund të lëvizte.

Është interesant se derisa e tërhiqnin zvarrë, e akuzonin se ka konsumuar shumë drogë dhe alkool dhe se mund të jetë si rezultat i mbidozimit.

Sikur kjo të mos mjaftonte, një zyrtar policor dëgjohet duke thënë se është mirë dhe këmbëngul që ashtu të prangosur duke e tërhequr zvarrë, ta fusin në qelinë e burgut.

Ai tani po lufton për jetë në spitalin New Haven ka bërë të ditur avokati i tij Ben Crump.

“Ai është paralizuar nga beli e poshtë dhe duhet të përdor tuba për të marrë frymë”, shtoi ai. /Telegrafi/

Exit mobile version