Site icon Telegrafi

I dyshuari për vrasjen e katër personave në një shkollë në Georgia, ishte intervistuar vitin e kaluar për kërcënim

Një djalë që akuzohet për vrasjen e katër personave në një shkollë të mesme në Georgia, ishte intervistuar vitin e kaluar nga policia për kërcënime anonime online, ka njoftuar FBI.

Colt Gray, 14-vjeç, ka mohuar në polici se në maj të vitit 2023 kishte qëndruar prapa postimeve në internet që përmbanin imazhe të armëve dhe paralajmërime për të shtëna në shkollë.

I dyshuari hapi zjarr të mërkurën në shkollën e mesme Apalachee në qytetin Winder, duke vrarë dy arsimtarë dhe dy nxënës, thonë hetuesit, transmeton Telegrafi.

Në anën tjetër tetë nxënës tjerë dhe një arsimtar kanë mbetur të plagosur. Ai është arrestuar në kampus dhe në procesin gjyqësor do të trajtohet si i moshës madhore.

Policia ka identifikuar viktimat si arsimtarët Chrsitina Irimie dhe Richard Aspinwall, si dhe nxënësit 14-vjeç Mason Schermerhorn dhe Christian Angulo.

Në një konferencë për shtyp, drejtori i FBI-së, Chris Hosey tha se arma që u përdor është një AR.

I dyshuari kishte alarmuar FBI-në dhe Qendrën Nacionale për Operacione Kërcënuese në maj të vitit 2023, pasi kishin pranuar kërcënime anonime online lidhur me thirrje për të shtëna në shkollë nga një lokacion i panjohur.

Nga kjo agjenci njoftuan se brenda 24 orëve hetuesit konstatuan se kërcënimet vinin nga Georgia.

Zëvendëssherifi kishte intervistuar djaloshin dhe babanë e tij, që kishte deklaruar se “ka armë në shtëpi dhe se djaloshi nuk ka qasje në të”.

I dyshuari që asokohe ishte 13-vjeçar, ka mohuar të ketë bërë kërcënime online kurse autoritetet kishin vazhduar të monitorojnë nivelin e kërcënimit.

“Asokohe, nuk kishte shkak të fortë për ta arrestuar apo ndërmarrë veprime shtesë”, u tha ndër tjera nga FBI. /Telegrafi/

Exit mobile version