Site icon Telegrafi

Dyshohet se kërkoi 40 mijë euro për të ndikuar tek gjyqtarë dhe prokurorë, Prokuroria e Ferizajt kërkon 30 ditë paraburgim

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit për 30 ditë ndaj të dyshuarit A.L., nga komuna e Pejës, i cili akuzohet për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”, sipas nenit 424, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 17 mars 2023, në Prishtinë, i pandehuri A.L. ka kërkuar para për vete në mënyrë të drejtpërdrejtë, me qëllim që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e një personi zyrtar”.

“Konkretisht, pas arrestimit të të pandehurit E.S. dhe caktimit të paraburgimit të tij nga gjykata, A.L. është takuar me vëllain e E.S., nga i cili ka kërkuar 40,000 euro për të ndikuar tek gjyqtarët dhe prokurorët në mënyrë që E.S. të lirohej nga paraburgimi. Ky i fundit ndodhej në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, për veprat penale “Fajdeja” dhe “Shmangia nga tatimi”.

Edhe pse ndikimi i supozuar nuk është realizuar, veprimet e A.L. përmbushin elementet e veprës penale të “Ushtrimit të ndikimit”.

Për këtë arsye, Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë që nga data 19 shkurt 2025 dhe tashmë ka kërkuar caktimin e paraburgimit për të.

Hetimet për këtë rast janë në vijim dhe Prokuroria do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për ndriçimin e plotë të çështjes./Telegrafi/

Exit mobile version