Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër A.G., në cilësi të personit zyrtar – Inspektor në Drejtorinë e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, i akuzuari A.G., me datë 03.10.2017, në fshatin Reçan të Komunës së Prizrenit, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar – Inspektor në Drejtorinë e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij të përcaktuara me ligj, dhe njëkohësisht i ka tejkaluar kompetencat e tij ligjore, në kundërshtim me nenin 48 të Ligjit për ujërat e Kosovës dhe nenin 12 paragrafi 1.3 të Udhëzimit administrativ për kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e brigjeve të ujë-rrjedhave dhe akumulacioneve.
Kështu, i akuzuari A.G., ditën kritike derisa po inspektonte objektin në ndërtim nga investitori H.K., pa fakte, konstaton në procesverbalin për inspektimin e kryer, se investitori ka respektuar pikat e kadastrit, duke i mundësuar investitorit të bëjë ndërtimin e objektit në rrjedhën e lumit “Lumbardh”, duke i mundësuar H.K., të uzurpojë një sipërfaqe prej rreth 155 metrash katror të pasurisë shoqërore në të cilën e ka ndërtuar një pjesë të objektit.
Me këto veprime, thotë Prokuroria në Prizren, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri A.G., ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cilat i vihet në barrë.