Janë gjetur 38 kamera të tjera të instaluara në tre lagje të frekuentuara të qytetit të Shkodrës.
Sipas policisë ato dyshohet të jenë vendosur nga grupe kriminale.
Kujtojmë se më herët këtë muaj janë zbuluar 21 kamera në hyrje-daljet e lagjeve Kiras dhe Dobraç për qëllime kriminale, por edhe vëzhgimin e lëvizjeve të bluve.
Disa prej kamerave, sipas verifikimeve funksionoin prej dy vitesh. Grupi hetimor deri më tani dyshon se grupet kriminale kanë kontraktuar kompani të huaja nga jashtë vendit për ti mirëmbajtur, më konkretisht nga Gjermania.
Kjo për faktin për të mos u gjurmuar nga ana e policisë. Këta të fundit kanë kryer disa kontrolle për të gjetur serverat e pajisjeve monitoruese, dhe kanë shoqëruar disa persona, por ende pa rezultate konkrete.
Njoftimi i policisë:
Shkodër/Vijon faza e dytë e planit operacional policor të koduar “Fijet”.
38 kamera të tjera që i shërbenin informimit të kontigjentit kriminal, u evidentuan dhe u çmontuan nga Policia. Kamerat ishin instaluar në 3 lagje shumë të frekuentuara të qytetit.
Brenda pak ditësh, plani operacional “Fijet” çmontoi 59 kamera. Skuadra të posaçme hetimore vijojnë punën, me qëllim identifikimin e pronarëve të tyre dhe dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.
Strukturat hetimore të DVP Shkodër, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të planit operacional policor intensiv, të koduar “Fijet”, të mbështetura dhe nga inteligjenca informative, për vendosjen e disa kamerave, në zona shumë të frekuentuara të qarkut Shkodër, konkretisht në lagjet “Guerrile”, “Salo Halili” dhe “Kongresi i Përmetit”, me qëllim sigurimin e informacioneve për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë, kanë organizuar punën për çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të tyre dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.
Mbështetur nga shërbimet operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, strukturat hetimore të DVP Shkodër kanë çmontuar dhe sekuestruar 38 kamera të tjera të dyshuara të lidhura me aparate të ndryshme celulare, të cilat u evidentuan të instaluara në lagjet “Guerrile”, “Salo Halili” dhe “Kongresi i Përmetit”, Shkodër.
Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente. Vendosja e tyre është në kundërshtim me ligjin 9887, të datës 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe përbën veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, që parashikohet nga neni 121 i Kodit Penal.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna intensive për identifikimin e shtetasve që kanë instaluar këto kamera, si dhe për zbardhjen e plotë të qëllimit të vendosjes së tyre.
Më herët, gjatë fazës së parë të planit operacional policor të koduar “Fijet”, u çmontuan 21 kamera të instaluara nga rrethrrotullimi “5 Heronjtë” deri tek rrethrrotullimi i parë i bypassit të Shkodrës dhe nga rrethrrotullimi “5 Heronjtë” deri te rrethrrotullimi i Dobraçit. /Telegrafi/