Telegrafi

Dyshohet se injektoi një grua me vaksinë false kundër coronavirusit për 160 funte, policia britanike në kërkim të dyshuarit

Policia në Mbretërinë e Bashkuar po kërkon një burrë i cili dyshohet se injektoi një grua 92-vjeçare me një vaksinë të rreme kundër COVID-19 – dhe dyshohet se e detyroi atë të paguante 160 funte.

Sipas CNN, përcjell Telegrafi, autoritetet përkatëse në Londër i kanë bërë thirrje publikut për ndihmë në identifikimin e burrit, për të cilin ata thonë se dyshohet për mashtrim, duke kërkuar pagesa për t’i administruar vaksinat false kundër coronavirusit.

I dyshuari që besohet të jetë në fillim të 30-ve, pretendohet se i është afruar viktimës më 30 dhjetor në shtëpinë e saj në Surbiton, në jugperëndim të Londrës, duke i thënë se ishte nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar në Mbretërinë e Bashkuar (NHS).

Burri i cili injektoi të moshuarën, ia kërkoi asaj 160 funte, të cilat sipas tij ato do të rimbursoheshin më vonë nga NHS-ja.

Ndërkohë, të hënën burri shkoi për herë të dytë në shtëpinë e 92-vjeçares dhe kërkoi një pagesë tjetër prej 100 funte, tha policia.

Policia e Qytetit të Londrës deklaroi se nuk dihej ende se çfarë, apo nëse ndonjë substancë ishte injektuar tek gruaja, por që kjo e fundit ishte ekzaminuar në një spital dhe nuk pësoi asnjë efekt anësor. /Telegrafi/