Një 38-vjeçar nga Kurbini është arrestuar në Policia për akte të dhunshme në protestën e organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit me mbështetjen e Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë, para Bashkisë së Tiranës.
Sipas burimeve nga Policia, bëhet me dije se 38-vjeçari akuzohet për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, dhe “Goditjet për shkak të detyrës”.
Ditën e djeshme u njoftua se ky person ishte shpallur në kërkim, pasi dyshohet se hodhi 5 shishe molotovi në drejtim të godinës së Bashkisë së tiranës.
Ndërkohë materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme proceduriale.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë-Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar më datë 14.05.2024, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaloi shtetasin:
– E. V., 38 vjeç, banues në Kurbin, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, dhe “Goditjet për shkak të detyrës”.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.