Një furnizues me energji elektrike në Vermont ka njoftuar se ka gjetur virus në një nga kompjuterët e saj, i cili sipas qeverisë amerikane është vendosur nga hakerët rusë.
Kompania e energjisë elektrike në Burlington, ka thënë mbrëmë se furnizuesit me energji elektrike në SHBA janë paralajmëruar nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare për një virus që shfrytëzohet nga “Grizzly Steppe”, emër ky i dhënë një fushate ruse gjatë verës për të sulmuar institucionet demokratike amerikane.
Kompania ka thënë se ka ndërmarrë “masa të menjëhershme për të izoluar laptopin dhe të paralajmërojë zyrtarët federal”, me të cilët tani po punojnë për të parandaluar ndonjë ndërhyrje tjetër.
Ndonëse hakerët nuk e kanë përdorur virusin për të ndërprerë operacionet e furnizuesit, autoritetet amerikane vlerësojnë se çdo ndërhyrje në sistemin elektrik të shtetit është i rëndësishëm sepse paraqet dobësi potencialisht serioze për qytetarët dhe ekonominë.
Zyrtarët thonë se hakerët në Vermont mund të kenë qenë duke testuar nëse mund të ndërhyjnë në sistemin e furnizimit me energji elektrike në SHBA.
Rusia është fajësuar para një viti për sulm kibernetik në sistemin e furnizimit me energji elektrike të Ukrainës, sulm ky që la rreth 250 mijë njerëz pa drita
Rusia ka hedhur poshtë akuzat.