Site icon Telegrafi

Dyshohet se i dhunoi dy vajza sa ishin të mitura, Prokuroria në Ferizaj thotë se viktimat dhe i dyshuari janë familjarë

Një person është arrestuar në Kaçanik, pasi dyshohet se ka dhunuar dy vajza, në kohën kur ata kanë qenë të mitura.

Arrestimi i tij ka ndodhur ditën e mërkure, ndërkohë që nga Prokuroria Themelore në Ferizaj kanë dhënë detaje në lidhje me rastin. Sipas Prokurorisë, i dyshuari dhe viktimat kanë lidhje familjare.

Hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur tërësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të siguruar drejtësi për viktimat.

“Lidhur me rastin në fjalë ju njoftojmë se me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar një (1) person i dyshuar në kohëzgjatje prej 48-orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Dhunimi” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Prokuroria Themelore në Ferizaj ,brenda afatit ligjor, ndaj të pandehurit, ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30-ditësh në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për veprën penale të lartëcekur”, tha për Telegrafin, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Vjosa Baftiu.

Ajo theksoi se “Viktimat në këtë rast aktualisht janë të moshës madhore, ndërsa, në rastin e kohës së kryerjes së veprës penale kanë qenë të mitura, si dhe viktimat dhe i pandehuri kanë lidhje familjare mes vete”.

Ndryshe, i arrestuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje./Telegrafi/

Exit mobile version