Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur në gjykatën kompetente kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi, i cili dyshohet se ka dhunuar dhe shantazhuar një grua në Graçanicë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.
“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se fillimisht prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka lëshuar aktvendim mbi ndalim për personin e dyshuar, në drejtim të veprave penale ‘Dhunimi’ dhe ‘Shantazhi’, sipas KPRK-së. Po ashtu, Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, pranë gjykatës kompetente”, ka thënë ajo.
Ulaj tutje ka bërë të ditur se viktima është i moshës madhore.
Ndërsa, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur më datë 26.08.2023.
“Me datën 28.08.2023 viktima femër kosovare ka raportuar se është dhunuar nga i dyshuari mashkull kosovar po ashtu sipas viktimës i dyshuari edhe e ka shantazhuar. Lidhur me rastin personi i dyshuar është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin policor. /Telegrafi/