Site icon Telegrafi

Dyshohet se dëmtuan buxhetin për 2.6 milionë euro, aktakuzë kundër nëntë ish-ministrave të Malit të Zi

Prokuroria Speciale e Shtetit të Malit të Zi ka ngritur aktakuza kundër nëntë ish-ministrave dhe tre personave të tjerë nën dyshimin se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare gjatë ndarjes së banesave dhe kredive për banim.

Ata dyshohet se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit malazez për dy milionë e 600 mijë euro, raporton vijesti.me.

Në mesin e të akuzuarve janë pesë deputetë – Predrag Boshkoviq, Dragica Sekuliq dhe Suzana Pribiloviq nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) dhe Ivan Brajoviq dhe Damir Shehoviq nga Social Demokratët.

Për keqpërdorim detyre akuzohen edhe ish-ministrat Budimir Shegrt, Suad Numanoviq dhe Sanja Vlahoviq nga DPS-ja dhe Osman Nurkoviq nga Partia Boshnjake.

Keqpërdorimi i pozitës zyrtare dënohet me burgim nga dy deri në 12 vjet.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ngriti kallëzim penal kundër tyre në mes të muajit tetor të vitit 2022, duke pretenduar se shteti është dëmtuar për rreth dy milionë euro.

Duke komentuar ngritjen e aktakuzës, Abazoviq tha se shpreson se shteti do të kërkojë kompensim “nëse kemi epilog përfundimtar gjyqësor”.

“Më vjen keq që u dhanë 500 apartamente njerëzve që dëmtuan politikisht Malin e Zi me miliarda euro”, ka thënë ai.

Ministrat e akuzuar kanë qenë në Komisionin Qeveritar për Çështje Banesore, i cili, përveç anëtarëve të Qeverisë ka ndarë banesa dhe kredi edhe për përfaqësuesit e pushteteve tjera, si deputetë, gjyqtarë e prokurorë. /Telegrafi/

Exit mobile version